Konferenca për shtyp e trajnerit të Argjentinës Horge Sampaoli në prag të sfidës delikate kundër Kroacisë u rrotullua thuajse e gjitha rreth Leo Mesit.
Ylli i Barcelonës është personazh unik, i aftë të bëjë të flitet për të në çdo moment, në fitore e në humbje.
Pas ndeshjes kundër Islandës Mesi u kritikua ashpër në atdhe, por Sampaolin kjo gjë e ka zemëruar pa masë.
“U krijua situatë mjaft e nderë nga barazimi ndaj Islandës. Besoj se nëse Leo kërkon të marrë përgjegjësi për gjithçka që nuk i përket, gabon. Është Botërori i 40 milionë njerëzve, penalltinë mund ta humbasë kushdo.
“Kur Mesi shënon, festojmë të gjithë, ndërsa kur humbasim duket sikur është vetëm faji i Mesit. Është e tepërt për një futbollist. Ai është më i miri në botë. Është e pamundur që një lojtar i vetëm të të lejojë të ndryshosh realitetin e një takimi. Mund të jetë faktor, por është e pamendueshme që një futbollist të jetë përgjegjës për një dështim”.
Krahasimi me Maradonën është i gabuar sipas Sampaolit: “Me Leon, Argjentina ka humbur 4 apo 5 ndehsje në rreth 70 të tilla. Leo është një hero për Argjentinën, ashtu si ishte Maradona. Çdo Argjentinë ka një jetë me Mesin dhe një tjetër me Maradonën”.
Sampaoli kërkon nga lojtarët e tij që të mos e kërkojnë Mesin me çdo kusht: “Kishte momente kur Mesi ishte i rrethuar nga një grumbull lojtarësh. Nëse kjo ndodh sërish, duhet të keni zgjuarsinë qr të kuptojmë që ka lojtarë të tjerë të pambuluar në ato momente, Mesi duhet kërkuar vetëm ende nuk është i rrethuar. Duhet variacion, për të gjetur mundësinë që Mesi tw tregojë cilësinë e tij”.
Strategjia kundër Kroacisë: “Kemi përballë një ekip me një brez të shkëlqyer lojtarësh, që kanë mentalitet fitues dhe janë më të qetë se ne, sepse e kanë nisur me fitore. Ne do të luajmë si ndaj Islandës, duke kerkuar të marrim iniciativën që në fillim, me ritëm të lartë”.