Argjentina ka kaluar makthin e grupeve, tashmë ka edhe një shans, edhe pse renditja në vendin e dytë në grupin e vet e detyron të luajë që tani një finale të parakohshme kundër Francës.
Trajneri argjentinas Horge Sampaoli flet për sfidën e nesërme: “Franca është një skuadër vërtet e frikshme dhe e kompletuar, sepse ka mbrojtje të fortë, është e shpejtë në kundërzbritje dhe në fazën e tranzicionit, ka aftësinë të mbërrijë te porta me pak pasime. Është një grup që punon prej dy vitesh së bashku, cikli i Deshamp ka nisur shumë kohë më parë. Megjithatë, ne duam të jemi gati. Objektivi është të luajmë në mesfushën e tyre, në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për të rikuperuar topin me shpejtësi dhe për t’u rinisur”.
Kohët e fundit Sampaoli ka qenë në qendër të kritikave: “E sigurt është që ndeshja do të analizohet në bazë të rezultatit final. Nëse Argjentina fiton, unë do të konsiderohem trajner i shkëlqyer, në të kundërt do të më quajnë trajner shumë të keq. Gjithsesi, kemi besim, jemi përgatitur mirë dhe e dimë që kemi një forcë të madhe mendore që do të na lejojë ta përballojmë këtë ndeshje me vendosmërinë e duhur. Argjentina do të zbresë në fushë me zemër të madhe”.
Formacioni – “Nuk e kam ende idenë kush do luajë, kam shumë zgjidhje dhe lojtarë vendimtarë, me thikën ndër dhëmbë”, thotë Sampali, por përshtypja është se për të 15-tën ndeshje Sampaoli do të ndryshojë formacion. Gonzalo Higuain mund të kthehet në stol, me Agueron që duhet të luajë nga fillimi, së bashku me Pavon dhe Mesin në sulm.
Mesi – Sampaoli mohon spekulimet se lojtarët bëjnë formacionin, apo se konsultohet me ta, edhe pse gjatë ndeshjes së fundit dukej se i kërkonte leje Mesit të fuste Agueron: “Ishte një shkëmbim idesh, jo ajo që thoni ju. Duhej të merrja një vendim dhe shkëmbeva një mendim me Mesin. Gjithsesi, ato që them me lojtarët nuk janë publike”. Po Mesi? “Një gjeni, është drita jonë”.