Pas humbjes pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, që ishte edhe e para për vitin 2018, Viner Nojshtati është kthyer në rrugën e duhur, sepse sot ka fituar 3-0 në derbin kundër FAC Vjenës.
Një fitore bindëse, e lehtë, me skuadrën e Hamdi Salihit që mbylli gjithçka që në pjesën e parë, në vetëm 6 minuta.
Në minutën e 22-të erdhi goli i parë me Shtefel, një minutë më pas dyfishoi Mizenbok me pasim final nga Salihi dhe në minutën e 28-të vetë sulmuesi shkodran mbylli hesapet.
Më pas thjesht administrim dhe pas minutës së 67-të të tre autorët e golave u zëvendësuan, për të ruajtur energjitë.
Fitorja kthen përkohësisht në vendin e dytë Nojshtatin pas javës së 22-të, që do të thotë pozicion për ngjitje direkte në Bundesligë, por ka ende 14 ndeshje dhe gara për ngjitje do të jetë shumë e egër, me Vaker Insbruk dhe Ried që janë rivalë mjaft cilësorë.
Për Salihin ishte goli i 16-të në kampionat në 21 ndeshje, të gjitha si titullar, ndërkohë që vjet me Skënderbeun u ndal te kuota 15 gola në Superiore.