Mesfushori i Tërbunit, Donald Saliaj, ditët e fundit ka kërkuar largimin nga skuadra pukjane, për të provuar një aventurë të re, ndoshta edhe jashtë Shqipërie, sepse ka pasur interesim nga disa klube.
Futbollist me aftësi mjaft të mira organizative në mesin e fushës, Saliaj ka qenë një lojtar kyç te Tërbuni sezonin e shkuar, si dhe në pjesën e parë të sezonit aktual, duke luajtur gjithnjë në formacion.
Largimi i mundshëm i tij ka futur në telashe Tërbunin, që nuk po gjen zëvendës, ndaj sot trajneri Kreshnik Krepi dhe drejtori sportiv Oltijon Kërnaja janë takuar me mesfushorin, me synimin për ta bindur të kthehet në skuadrën pukjane, të paktën deri në fund të sezonit aktual.
Nuk ka ende ndonjë vendim apo njoftim zyrtar të klubit, por shpresat e drejtuesve të Tërbunit janë të mëdha se Saliaj do të vendosë të qëndrojë.