Salah: Zidan ka qenë heroi im, tani dua ta mund

Sulmuesi egjiptian i Liverpulit ka dhënë një intervistë për “UEFA.com”, ku ka folur për idhujt e tij, Klopin dhe finalen e Ligës së Kampioneve

Shpresat e Liverpulit për trofeun e gjashtë në Champions janë të varura në këmbët e Mohamed Salah. Sulmuesi egjiptian ka qenë zbulimi i këtij sezoni në Premier, duke u shpallur ndër të tjera dhe golashënuesi më i mirë dhe lojtari i vitit. Në prag të finales në Ligën e Kampioneve kundër Realit të Madridit, ai ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s. Egjiptiani ka analizuar përballjen me “los blancos”, ka dhënë vlerësimet e tij për trajnerin Jurgen Klop, por ka zbuluar dhe idhullin e tij që sot është trajner i Realit të Madridit, Zinedin Zidan.

Fitimi i Champions – “Të them të drejtën nuk e di çfarë të them, por të fitosh Ligën e Kampioneve besoj se është një ndjesi e veçantë. Të fitosh Championsin është një arritje e madhe. Por fillimisht duhet ta luajmë këtë finale dhe të luash një finale në Champions është një ëndërr e bërë realitet për mua. E kam ndjekur nga Egjipti finalen e dy viteve më parë dhe e kuptova më mirë se çfarë do të thotë të luash e të fitosh një Chamions.”

Ndeshja kundër Realit – “Nuk ka shumë për të thënë për Realin, sepse të gjithë e dinë historinë e këtij klubi dhe lidhjen e veçantë që ky klub ka me Ligën e Kampioneve. Është klubi që e ka fituar m shumë se kushdo tjetër këtë trofe. E ka fituar Ligën e Kampioneve tri herë në këto katër sezonet e fundit dhe ka shumë eksperiencë në këtë drejtim. Por kjo është një ndeshje e vetme, nuk janë dy dhe gjithçka mund të ndodhë. Nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër veç kësaj ndeshje. Në fund të fundit në fushë do të jemi 11 kundër 11.”

Vlerësimet për Klopin – “Klop ka një filozofi të qartë në mendje. Në radhë të parë duhet të bësh ato çfarë ai të kërkon të bësh. Por nga ana tjetër nuk të privon nga stili jot i të luajturit. Gjithnjë i jep besimin dhe mundësinë lojtarëve për të bërë zgjedhjet e tyre gjatë ndeshjes, të ndihmon të japësh më të mirën nga vetja. Këtu qëndron forca e tij dhe kjo nuk ndodh vetëm me mua, por me të gjithë lojtarët. Ai nuk është miku im, por miku i të gjithë ekipit.”

Liverpuli – “Jemi një grup i bashkuar, jemi të gjithë miq mes nesh. Pjesa më e madhe prej nesh darkojmë së bashku ose kalojmë shumë kohë së bashku. Kjo na ndihmon dhe gjatë ndeshjeve.”

Forma e Salah – “Sekreti im është puna e madhe dhe fortë që kemi bërë që nga dita e parë e stërvitjes. Gjëja m e rëndësishme është të ruaj këtë nivel, për të bërë paraqitje të ngjashme edhe në sezonin e ardhshëm. Kam qenë dy vjet tek Roma dhe kam kaluar dy sezone të mrekullueshëm dhe të gjithë më kërkonin të qëndroja. Por në mendjen time kisha Anglinë.”

Idhujt e Salah në fëmijëri – “Kam admiruar tri lojtarë, Totin, Ronaldon brazilian dhe Zinedin Zidanin. Ideja ime ishte të zgjidhja tri lojtarë të ndryshëm për mënyrën e interpretimit të lojës.”

Firmino dhe Mane – “Gjëja më e rëndësishme për ne është të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe ekipin të shënojë sa më shumë gola. Nuk ka rëndësi kush shënon, apo kush shënon më shumë e më pak. Rëndësi ka të shënojë kushdo nga ekipi dhe Liverpuli të fitojë. Shikoni për shembull shifrat tona në Champions, kemi shënuar të tre pothuajse të njëjtin numër golash. Asnjëri nga ne nuk është egoist.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *