Salah përfundoi në qendër të kritikave, Klop: Dasma e vëllait është moment i veçantë, isha në një situatë të ngjashme në verë

Mohamed Salah vijon të jetë i izoluar për shkak të Covid-19. Lojtari u bë protagonist në media, teksa vendosi që gjatë kohës që ishte i grumbulluar me Kombëtaren në Egjipt të shkonte në dasmën e vëllait të tij. Plot 800 të pranishëm ishin në këtë festë dhe ylli egjiptian nuk iu përmbajt masave mbrojtëse.

Diçka e tillë solli një reagim të ashpër të mediave si dhe të tifozëve, të cilët iu kundërvunë lojtarit të Liverpulit, duke e quajtur të padisiplinuar. Ndërkohë Klop nuk ka zgjedhur ta komentojë bisedën me futbollistin e tij, ndërsa dasmën e vëllait të Salah e quan si një moment të veçantë. Gjithashtu trajneri i kampionëve të Anglisë ka rrëfyer edhe një situatë të ngashme për të, por në fund gjermani kishte zgjedhur të mos shkonte në ditëlindjen e mikut të tij.

“Nuk ka absolutisht asgjë për të thënë në publik për gjërat për të cilat unë flas me lojtarët e mi. Ajo që mund të të them është se isha në Gjermani në verë dhe një mik shtyu festën e tij të ditëlindjes vetëm për shkakun tim. Pesëdhjetë vetë morën pjesë dhe unë vendosa në minutën e fundit të mos shkoja dhe kjo ishte vetëm një ditëlindje, që ishte e lejuar në Gjermani. Ishte jashtë por nuk shkova. Në situata të tjera ka më shumë presion shoqëror mbi ju dhe dasma e një vëllai është një moment shumë i veçantë.

Ajo që mund të them për lojtarët e mi është se ata janë tepër të disiplinuar. Të gjithë lojtarët janë tepër të disiplinuar; ka pasur disa raste, sigurisht, por ata me të vërtetë dinë për situatën. E gjithë pjesa tjetër është midis Mo dhe meje. Ne e kemi bërë atë tashmë. Ne jemi mirë”, ka thënë Jurgen Klop./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *