Mohamed Salah është në garë me kohën për të qenë gati për Kupën e Botës në Rusi, me stafin mjekësor të Liverpulit që beson se ylli i Egjiptit do të mungojë 3-4 javë, për shkak të dëmtimit të pësuar në finalen e Champions League.
Vetë Salah ka deklaruar se është optimist në lidhje me Kupën e Botës dhe se do të riaftësohet në kohë, por fizioterapisti i Liverpulit, Ruben Pons, deklaron për spanjollen Marca: “E kuptuam që ishte diçka serioze që kur Salah ra në tokë, sepse ai nuk ankohet kurrë dhe patëm shumë frikë, menduam më të keqen, kur e pamë që kërkoi ndihmën mjekësore. Ishim të shkatërruar pas dëmtimit, edhe pse po mundohesha të qetësoja lojtarin. Tani Salah duhet të ndjekë një rrugë të caktuar për t’u riaftësuar, nuk duhet të nxitohet. Do të duhen 3-4 javë që të kthehet në formë, edhe pse është e qartë që ai do të sforcohet për të qenë gati sa më parë”.
Egjipti do ta nisë Kupën e Botës më 15 qershor, kundër Uruguait, por shanset më të mëdha janë që Salah të jetë titullar ndaj Rusisë më 19 qershor.