Futbollisti i kombëtares shqiptare Armando Sadiku, i cili aktivizohet në radhët e ekipit te Levantes pësoi një dëmtim serioz dje, në një përplasje të fortë me portierin Diego Lopez në takimin Levante-Espanjol. Sulmuesi elbasanas, gjatë një tentative për të kërcënuar skuadrën katalanase, u përplas me Lopezin dhe të dy u dëmtuan keqas. Sadiku pësoi një frakturë në hundë, ndërsa më keq i shkoi portierit veteran, i cili përfundoi në spital me frakturë pas veshit. Në një prononcim për “Super Sport”, në emisionin “Zona Gol”, Sadiku deklaroi se është mirë nga përplasja brutale me gardianin spanjoll Lopez dhe më e keqja ka kaluar.
Brutal topada entre Diego Lopez i Sadiku pic.twitter.com/FGbpiALGBO
— Nino Vàzquez (@nino22) March 4, 2018
“Jam mirë. Shyqyr zotit shpëtova mirë. Kam pasur një frakturë në hundë, por asgjë serioze dhe për momentin jam mirë. Nuk e pashë fare portierin, shkova ta vizitoj në spital dhe nuk e kuptova si u përplasa me të, sepse i kisha marrë kohën mbrojtësit dhe nuk e pashë fare portierin, ishte si një bombë përplasja me të, nuk e prisja të dilte në atë mënyrë. Ai është çarë te veshi dhe ka pësuar një frakturë afër veshit. Unë kreva një operacion të vogël, nuk ka asnjë gjë serioze, do të mbaj një maskë allçie në fytyrë dhe të mërkurën do të jem gati të dal në stërvitje. Unë doja të luaja edhe në pjesën e dytë, por mjekët vendosën për të kundërtën, pasi më kontrolluan, më bënë disa pyetje dhe e panë që nuk isha plotësisht i vetëdijshëm, përtej dëshirës së madhe që kisha për të luajtur”.
Trajneri i Levantes është larguar pas barazimit të djeshëm: “Më vjen keq që u largua trajneri, ai gol që pësuam në shtesë ka qenë fatal, sepse një fitore do të ndryshonte gjithçka dhe do të qetësonte situatën. Kur erdha te Levante, kisha besimin e të gjithëve, por ndonjëherë Zoti të sprovon dhe që kur erdha këtu, kam pasur dëmtime. Tani shpresoj që të jetë dëmtimi i fundit dhe të luaj gjithnjë titullar, që të shpërblej besimin e të gjithëve në klub, pasi dua të jap kontributin tim për të arritur mbijetesën, duke bërë detyrën”.