“Sa pësojmë gol, skuadra fiket”, Shehi tregon problemin e Partizanit: Rezultatet na kanë futur në presion, te goli i parë rrinim si figura pa bërë presion

Vetëm pak minuta më parë janë mbyllur dy ndeshje vërtet shumë emocionuese në Superiore. Vllaznia ka arritur që të fitojë në shifrat 2-1 ndaj Teutës. Goli i parë i takimit u realizua nga Coba, i cili i dha avantazhin shkodranëve. Ndërkohë në minutën e 72, 17-vjeçari Arifi solli barazimin e takimit. Në fund, në minutën e 82, vetëm pak sekonda në fushë dhe Coba kthehet në heroin e Vllaznisë duke i dhënë tre pikët. Nga krahu tjetër Dinamo fitoi derbin kundër Partizanit mes përmbysjes. Goli i parë nuk vonoi me Mban që i solli avantazhin e herëshëm Partizanit në minutën e 10.

Përmbysja erdhi në pjesën e dytë. Pas një goditje të fort të Markut dhe grushtimit të Hoxhës, Kacorri nuk e kishte të vështirë që me portën bosh, të shtynte topin në rrjetë. Drama ndodhi në minutën e 88, teksa Lorenzo Vila shënoi golin e përmbysjes. Arbitri akordoi pozicionin jashtë loje dhe Vila hoqi fanellën, duke festuar golin që ishte i parregullt për gjyqtarët. Arbitri i akordoi kartonin e kuq Vilës, që u largua në dhomën e zhveshjes pa golin e shënuar. Por pas rishikimit me VAR, Lorenzos i kthehet festa në dhomat e zhveshjes pasi goli iu akordua. Kështu do të mbyllej kjo ndeshje, me fitoren e Dinamos 2-1.

Shehi (Partizani): “Rezultati na ka futur pak në presion. Kundërshtari me pak forca na shënon. Edhe te goli i parë, ishim të gjithë nën vijën e topit. Por ishim më shumë si figura, nuk bënim presion. Trysnia na bëri që të futemi në një errësirë. Duhet personalitet. Kjo është humbja e dytë. Kemi humbur me Laçin, por me ta kemi luajtur mirë. Kemi pasur edhe dy barazime. Sa pësojmë golin, skuadra ka një lloj fikeje. Sikur u bë kiameti dhe nuk kemi kohë për ta rekuperuar. Kemi bërë performanca të mira, por performanca duhet konkretizuar me gol dhe me rezultat. Si i pari i punës, e marrë përgjegjësinë vetë. Në futboll po nuk fitove dyluftimet, po nuk tregove agresivitet, po nuk qendrove alert, shkon në këtë situatë.”.

Martini (Teuta): “Për mënyrën se si luajti ekipi, të vjen keq. Mendoj që luajtëm mirë, patëm raste. Fundi është i pafalshëm. Me gabime individuale, të të zërë Vllaznia në kundërsulm në minutën e 96, është për të ardhur keq. Nuk e meritonim të humbnim. Një pikë në fund të kampionatit do të duhet shumë. Gjithsesi, më pëlqen ajo grintë e lojtarëve. Nuk më pëlqen që na zuri Vllaznia në kundërsulm në fund. Në vend që të zinim ne në kundërsulm Shkodrën, na zuri Vllaznia ne”.

Mehmeti (Dinamo): “Jam shumë i kënaqur. Kemi treguar grintën e duhur. U përballëm si të barabartë me Partizanin sot. Në situata të veçanta në lojë ishim dominantë. Grupi duhet të ketë besim dhe të vazhdojë të rritet. Nuk duhet të mendojë shumë gjatë më shumë se sa ndeshja e radhës në Laç. Sigurisht që është një fitore e rëndësishme, sepse është derbi. Lojtarët kanë treguar që kanë personalitet dhe forcë sportive. Por duhet të jemi të kujdesshëm. Të kemi vazhdimësi dhe të jemi me këmbë në tokë. Një nga faktorët kryesorë që kemi ndryshuar është se kemi punuar bashkarisht. Sot treguam forcë karakteri. Ishim në disavantazh dhe e kthyem. Ishte hera e parë. Por më vjen keq se si e pësojmë. Megjithëse punojmë shumë në goditjet standarte, pësojmë sërish aty. Nuk mendoj fare për ‘final four’. Duhet të ulim kokën për ndeshjen e radhës me Laçin”.

Osmani (Vllaznia): “Një lojë e rëndë. Ne e vështirësuam pak punën vetë. Megjithatë jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Ideja ishte që me Malën të formonim katërshem. Çdo herë do të kemi një lojtar tepër në mesin e fushës. Ne edhe gjatë javës biseduam për ekipin e Teutës. I pamë disa lojëra të tyre. Ekip që nuk meriton të jetë në këtë vend ku është. Në dallim prej lojës së fundit me Laçin, na mungonte ajo loja e shpejtë dhe ato pasimet e sakta. Shumë pak krijuam raste”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *