“Sa hyra në kufi, kisha arritur akordin me Kukësin”! Jasir Asani tregon si Gaz Demi “i preu rrugën” me një telefonatë: Nuk ke shanse përveç Partizanit…

Për këdo që është njohës i mirë i kampionatit shqiptar, Jasir Asani ka ekzistuar në Shqipëri edhe përpara se të shkruante historinë me Kombëtaren. Në kohën e tij te Partizani, kur ishte më i ri dhe ofronte spektakël të njëjtë, vetëm se vëmendja e tërhequr nuk mund të ishte njësoj si me Kombëtaren. Në një intervistë për Soccer Talk Podcast, me Skënder Gegën, Asani ka treguar se njeriu që e afroi te Partizani ishte vet presidenti, Gaz Demi. Madje ky i fundit e ktheu nga rruga pasi Jasiri kishte arritur akordin me Kukësin.

“Kush më ka marrë te Partizani? Personi i parë që më mori ishte Gaz Demi. Kisha rënë dakort me Kukësin, isha nisur me makinë për të firmosur te Kukësi. Sa isha futur në kufi, më merr Gaz Demi dhe më thotë: “Përvec Partizanit, nuk ke ku shkon tjetër në Shqipëri”. Kisha ardhur disa herë më parë për qejf në Shqipëri, por nuk e kisha menduar se do të luaja këtu. Ishte e shkruajtur që të vija te Partizani pasi mu prishën disa mundësi për në Turqi”, tha Asani. /Sport Ekspres/