Një situatë e pazakonshme ka ngjarë përpara ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë. Policia shqiptare nuk garanton sigurinë për organizimin e kësaj përballje që mund t’i kushtojë shumë Kombëtares. Nëse gjoba nuk ndihet për sportdashësit, atëherë zbritja e pikëve nga renditja do të ishte fatale për kuqezinjtë. Gjithçka rrezikohet nëse nuk do të luhet përballja mes Shqipërisë dhe Anglisë. FSHF ka bërë edhe një reagim zyrtar duke treguar gjendjen, për të paralajmëruar saktësisht pasojat e mos zhvillimit të ndeshjes: “Katastrofike”.
Këtë situatë e ka pasqyruar edhe prestigjiozja “Dail Maily”. Një prej anëtarëve të FSHF ka folur për “Sportsmail”: “Do të ishte e pashembullt që një ndeshje ndërkombëtare të anulohej në këtë fazë, në këto rrethana dhe ka të ngjarë të rezultojë në një zbritje të pikëve dhe gjobë për Shqipërinë.”
Ndërkohë anëtari tjetër i FSHF, Andi Vercani, ka folur për “The Sun” duke treguar edhe afatin e fundit që të mos ndodhi ajo që i frikësohen të gjithë: “Ne aktualisht po përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje me autoritetet. Është diçka që shpresojmë të zgjidhet shpejt brenda ditës së ardhshme. Ne kemi nevojë që kjo të ndodhë përpara se ekipi i Anglisë të arrijë të shtunën”, u shpreh Vercani. /Sport Ekspres/