Rrëfimi i talentit të Kombëtares U-21: Nuk e harroj debutimin me Shqipërinë, mëson shumë nga Kristiano Ronaldo

Dijar Nikqi, është një nga futbollistët shqiptarë nga Kosova që aktivizohen në kampionatin shqiptar, e më konkretisht Nikqi luan në radhët e klubit të Akademisë së Futbollit. Vetëm 16 vjeç, djaloshi shtatlartë, i cili luan si sulmues, ka rënë në sytë e trajnerit Bushi, i cili vendosi ta grumbullojë në ekipin e Shpresave, një ëndërr kjo e realizuar për Dijarin.

Për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Nikqi tregon se futbollin e ka nisur si çdo fëmijë, thjesht sepse kishte dëshirë të luante, pa e menduar të ardhmen. Ende i vogël në moshë, sulmuesi që ka vendosur të përfaqësojë ngjyrat kuqezi tregon se largimi nga familja është një nga sakrificat që ka bërë për futbollin, teksa na tregon edhe synimet për të ardhmen, idhullin e tij në futboll, ecurinë me klubin e marrëdhënien me djemtë e ekipit.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Dëshira dhe pasioni për futbollin kanë qenë shumë të hershme. Kam filluar të luaj futboll që në moshën 7 vjecare në ekipin e moshave, por si të gjithë fëmijët e tjerë, në atë kohë ishte thjesht dëshirë për të luajtur futboll, pa e ditur se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Personi i parë që më afroi me këtë sport dhe pati besim tek aftësitë e mia, ishte babai im.

– Tashmë je bërë pjesë e Kombëtares U-21. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Jam shumë i lumtur që isha pjesë e kombëtares U-21. Pata një pritje të shkëlqyer. Djemtë më pritën shumë mirë, nuk mendoja se do ishin aq të ngrohtë. Me trajnerin gjithashtu kam kaluar shumë mirë, u kuptuam menjëherë dhe kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Për sa i përket ekipit, mund të them se për momentin nuk jemi keq. Deri në fund të kampionatit mendoj se do t’i arrijmë qëllimet tona sepse kemi një grup të shkëlqyer.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

– Kur mora ftesën nga kombëtarja jonë isha tejet i gëzuar. Ishte një ëndërr që bëhej realitet pasi gjithmonë kam dashur të përfaqësoj ngjyrat kuq e zi. Debutimi me kombëtaren ishte një moment i paharruar, një ndjenjë e vecantë. Shkak për këtë ishte dhe fakti që arrita të shënoj gol në atë ndeshje.

– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë?

– Për momentin Kombëtarja e madhe po punon mjaft mirë dhe ka mundësi shumë të mira për të ecur përpara. Mendoj që lojtarët e rinj që kanë ardhur janë shumë premtues dhe do t’i realizojnë të gjitha objektivat që ka Kombëtarja. Cilësia e lojtarëve ka ardhur duke u rritur.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Sigurisht që cdo ftesë e kombëtares është e rëndësishme për mua. Momenti më i lumtur ka qenë padyshim ftesa nga Shpresat. Sigurisht çdo performancë e mirë e imja dhe cdo rezultat i mirë i ekipit, është për mua një kënaqësi e shtuar.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Futbolli në vetvete kërkon shumë sakrifica, por mund të them që vështirësia më e madhe për mua ka qenë të qëndruarit larg familjes për periudha të gjata kohore.

 Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Ashu si për cdo futbollist në fillimet e veta, edhe ëndrra ime për të adhmen është të bëhem pjesë e Kombëtares së madhe si dhe arritja e majave të futbollit .

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli dhe modeli që më pëlqen të ndjek është Cristiano Ronaldo. Është një frymezim për mua, një futbollist nga i cili mund të mësosh shumë dhe prandaj e ndjek me shumë adhurim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *