Kush më mirë mund të flasë për Ronaldon sesa vetë Ronaldo? Sport Bild ka intervistuar Fenomenin, brazilianin e paharrueshëm, i cili në kohën e vet ishte një lojtar i pandalshëm dhe vetëm fati i keq nuk e lejoi të kishte suksese edhe më të mëdha në karrierë, sepse dëmtimet e masakruan. Tani Ronaldo flet për një tjetër legjendë të futbollit, edhe ai me emrin Ronaldo, por bëhet fjalë për Kristianon, portugezin magjik që në moshën 33-vjeçare vazhdon të mahnitë, me një rendiment që asnjë futbollist në histori nuk e ka ruajtur në mënyrë kaq konstante në karrierë.
Ronaldo, a mund t’ia dalë mbanë Kristiano që të fitojë Kupën e Botës dhe të ngjitet në vnivelin e më të mëdhenjve, si ti, Maradona, Bekenbauer apo Pele?
Më pëlqen ambicia e tij, uria që ka për të shënuar. Nëse nuk shënon, ai mërzitet jashtëzakonisht. I heq kapelen për këtë mentalitet. Koha do ta tregojë se çfarë vendi do të zërë në historinë e futbollit. Megjithatë, është e vërtetë që një Kupë Bote e ndihmon shumë një futbollist që të ketë vendin e vet mes më të mëdhenjve në histori.
Si iu duket Ronaldo si futbollist?
Lojtar shumë i kompletuar dhe që shënon shumë, shumë gola. Gjëja më e mirë që i ka ndodhur është transferimi te Real Madridi. Ai shënonte në mënyrë të pabesueshme që te Mançester Junajtid, por te Reali u përmirësua edhe më shumë dhe është kompletuar në çdo drejtim. Është zbavitëse ta shohësh në fushë. Kristiano Ronaldo ka fituar çdo çmim të mundshëm dhe i ka merituar. Edhe me kombëtaren portugeze ka arritur suksese të pamendueshme.
Si për shembull?
Portugalia ka pasur gjithnjë lojtarë të mëdhenj, por nuk kishte fituar kurrë trofe dhe shpesh eliminohej para kohe, deri para dy vitesh. Në Francë Portugalia në mënyrë befasuese u bë kampione Europe dhe Kristiano luajti një rol të rëndësishëm. Ai e udhëhoqi skuadrën me një mentalitet të pabesueshëm, prej fitimtari. Por nuk mjafton kaq për të kuptuar rëndësinë e tij.
Çfarë tjetër?
Kristiano është një futbollist që është zhvilluar në mënyrë konstante. Edhe në moshën 33-vjeçare, ai është në nivelet më të larta dhe vendos standardin për t’u ndjekur. Kijo është impresionuese. Nuk ka rëndësi sa mirë luan, sepse janë përkushtimi dhe disiplina ato që e bëjnë një lojtar unik. Megjithatë, e pranoj: Lionel Mesi i jep futbollit edhe më shumë magji.
Që do të thotë?
Kristiano Ronaldo është i drejtpërdrejtë në lojën e tij, mendon gjithnjë të shënojë. Lionel Mesi është gjithashtu vendimtar dhe shënon pa fund, duke fituar shumë trofe me Barcelonën, ashtu si Ronaldo me Realin dhe Junajtid. Megjithatë, ajo që e bën të veçantë Mesin është se ai luan me driblimin e tij, me gjithë mënyrën e tij unike të të luajturit futboll, duke dhuruar befasi në çdo moment.
Krahasimi mes Kristianos dhe jush?
Nuk dua të mburrem: unë kisha aftësi teknike të shkëlqyera dhe kisha shpejtësi në një epokë kur jo të gjithë ishin të shpejtë. Në futbollin aktual shohim shumë vrap dhe shumë shpejtësi, që është edhe arma e Ronaldos. Megjithatë, krahasimet nuk vlejnë shumë. Edhe kur e nisa unë, shpesh më krahasonin me Pelen. Ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm, më bënte krenar, por mendoja se ishte krahasim pa vlerë.
Pse?
Unë as që e kisha parë Pelenë të luante. Për këtë arsye, krahasimi mes lojtarëve nga breza të ndryshëm është tepër i vështirë.
Ronaldo konsiderohet një lojtar antipatik nga shumë njerëz, për shkak të sjelljes së tij. A jeni dakord?
Ndonjëherë nuk është e qartë përshtypja që ai dëshiron të krijojë te njerëzit. Për këtë arsye, imazhi i tij nuk është gjithnjë i mirë. Megjithatë, duhet të dish pse vepron ashtu, që të japësh një verdikt të saktë.