Kristiano Ronaldo padyshim që ka shënuar emrin e tij në librin e historive të futbollit botëror falë asaj që ka dhënë përgjatë viteve në fushën e lojës. Ylli portugez ka lindur për të thyer rekorde dhe nuk është ndalur asnjëherë, pavarësisht se mosha e tij tashmë është 35 vjeç. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë“ këtë herë ka lënë gjurmët e tij në përjetësi.
Kristiano Ronaldo ka qenë fituesi i çmimit “Golden Foot”, që merret vetëm një herë në jetë. Ky trofe i shkon një lojtari me moshë mbi 28 vjeç dhe që është ende aktitv për kontributin e dhënë në sportin e futbollit. Kanë votat e tifozëve ato që kanë shpallur emrin e portugezit si triumfues.
Ky çmim i është dorëzuar Ronaldos nga princi i Monakos, ndërsa vetë sulmuesi i Juventusit do të lërë një gjurmë të këmbëve te tij, të cilat do të vendosen në “Shëtitoren e Kampionëve” pranë bregdetit të Principatës së Monakos. Gjithashtu një vlerësim ka shkuar edhe për Andrea Anjelin, që është shpallur si presidenti më i mirë aktiv i një klubi futbolli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/