Roben e mbyll me hidhërim, por: E ardhmja e Holandës është e ndritur

Arjen Roben ka vendosur të ndalet dhe pas 14 vitesh me kombëtaren, tërhiqet zyrtarisht, duke u ndarë nga Holanda, ku ka qenë një lojtar kyç, por edhe një protagonist fatkeq.

Mesfushori i Bajernit të Mynihut luajti të martën kundër Suedisë ndeshjen e fundit me kombëtaren, pasi dy golat e tij nuk mjaftuan për të siguruar një vend në play-off, me Holandën që tashmë do ta shohë Botërorin nga shtëpia.

Gjithsesi, mesfushori i famshëm është i bindur se e ardhmja është e mirë për Holandën: “Edhe te fëmijët, jep gjithçka për të fituar dhe nëse nuk ia del, zhgënjimi është i madh. Është normale të jemi të trishtuar, por kohë më të mira po vijnë. Falënderoj tifozët për koret, ishte diçka e mrekullueshme, u jam mirënjohës. Kam luajtur këtu për 14 vite, kam parë gjëra të mrekullueshme. Nëse tifozët më vlerësojnë, jam thjesht mirënjohës”.

ROBEN NË SHIFRA

– Arjen Roben është shënuesi i katërt më i mirë në historinë e Holandës, me 37 gola për kombëtaren, aq sa Denis Bergkamp, pas Robin van Persit (50), Klas-Jan Huntelarit (42) dhe Patrik Klajvertit (40).

– Prej debutimit të tij, në prill 2003, Roben ka luajtur vetëm 96 nga 187 ndeshjet e Holandës që atëherë.

– Vetëm Uesli Shnajder (33 në 132 ndeshje) ka dhënë më shumë asiste për Holandën sesa Roben (29), që kur ky debutoi.

– Roben ka shënuar ose asistuar një gol për Holandën çdo 112 minuta (37 gola, 29 asiste).

– me dy golat ndaj Suedisë, Roben u ka shënuar 26 kombeve të ndryshëm.

– Vetëm Xhoni Rep (7) ka shënuar më shumë gola në Kupën e Botës sesa Roben (6, ashtu si Bergkamp, Rob Rensenbrink, Van Persi dhe Shnajder).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *