Rinis gara drejt Superiores, Tirana me mendjen edhe te kupa

Ndeshja e parë për vitin e ri do të luhet me Shkumbinin, ndërkohë që trajneri brazilian mendon për takimin e së mërkurës

Olsi Avdiaj

Tirana është gati për të nisur aty ku e ka lënë “marshimin” drejt Kategorisë Superiore. Në rrugën e saj, pikërisht në shtëpi, Tirana e 2018-ës do të përballet me Shkumbinin. Një skuadër modeste, të cilën bardheblutë e kanë mundur në takimin e parë me rezultatin 6-0. Këtë herë Tirana pret ekipin peqinas në kryeqytet në orën 14:00. Një ndeshje që konsiderohet e lehtë për Tiranën, që pritet të kursehet për sfidën e Kupës me Kukësin. Në fakt, bardheblutë kanë disa probleme, që dolën të paparashikuara. U mungojnë disa lojtarë, duke filluar nga Albi Doka dhe më pas Keneth Muguna, Musa Muhamed, Samson Iliasu, Junus Sentamu e Toni Mauexhe. Mbrojtësi i krahut është i dëmtuar dhe do të mungojë disa ditë, ndërkohë që lojtarët e huaj të Tiranës kanë mbetur në Antalia dhe pritet të riatdhesohen në Shqipëri sot, ose e shumta të hënën. Të gjashtë lojtarët janë mungesa të mëdha për Tiranën e re të Ze Marias, që duket një ekip më solid, se në pjesën e parë të sezonit.

Formacioni

Trajneri Ze Maria kishte menduar për një ekip me shumë ndryshime, por mungesa e lojtarëve, ka bërë që formacioni të jetë pak a shumë si në takimin e fundit miqësor.

Porta pritet të mbrohet nga Lika. Në mbrojtje, Kërçiku djathtas, në qendër Turtulli e Cake, ndërsa majtas Hoxhallari. Mesfusha do të jetë e përbërë nga Halili djathtas, në qendër Qilimi, Daja e Karabeci, ndërsa majtas Greca. Sulmuesi i vetëm do të jetë Ngoja. Ky është një version i ekipit, pasi mund të ndodhë që Ze Maria të ndryshojë gjithë mesfushën dhe të kthejë ekipin me dy sulmues, duke futur në një krah Çelhakën e Halilin, ndërsa në qendër të luajnë Daja e Karabeci, ndërkohë, që në sulm mund të luajnë Greca e Ngo. Gjithçka vjen për shkak të mungesës së lojtarëve të huaj.

Nëse ata mbërrijnë para ndeshjes së sotme, atëherë me të gjitha gjasat do të jenë në fushën e lojës, por kjo ka pak gjasa të ndodhë, pasi edhe dje futbollistët janë stërvitur nga Antalia.
Rezultatet Aktualisht Tirana është skuadra e parë e grupit B. Bardheblutë kanë grumbulluar 31 pikë në 12 ndeshje, ku kanë 10 fitore, një barazim dhe një humbje. Golaverazhi është për tu admiruar, 33-2 me Shënkollin dhe Bylisin dy ekipet e vetme që u kanë shënuar bardhebluve.

Formacioni i mundshëm: Lika, Kërçiku, Turtulli, Cake, Hoxhallari, Halili, Daja, Qilimi, Karabeci, Greca, Ngo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *