Rexhinaldo akord me Kukësin, Laçi e do për Europën

Rexhinaldo mund të konsiderohet lojtari më i ri i Kukësit. “Supersport” raporton se marrëveshja mes drejtuesve verilindorë dhe lojtarit është arritur, por në mes është Laçi. Kurbinasit pretendojnë se autori i 18 golave në edicionin që sapo u mbyll është nën kontratë, megjithatë lojtari në anën tjetër ka krejtësisht të tjera pretendime, duke theksuar se është i lirë dhe Kukësi mund të bëjë kërkesë në FSHF për lejekalimin e tij.

 

Megjithatë siç dihet pjesa më e madhe e kontratave janë së bashku me Europën dhe do të jetë pak e vështirë që ky transferim të kryhet menjëherë. Kurbinasit e duan 28-vjeçarin së paku edhe për Kupat e Europës. Rexhinaldo ka qenë një nga lojtarët më të spikatur te Laçi dhe me të bardhezinjtë do tentonin të bënin mirë ndaj qipriotëve të Anorthosis Famagusta. Gjithçka me shumë gjasa do të sqarohet nga FSHF, që duhet të marrë në shqyrtim kontratën e sulmuesit, për të dhënë verdiktin e saj se kush ka të drejtë. Verilindorët, nëse do e kryenin këtë transferim, do i vendosnin “qershinë mbi tortë” merkatos. Afrimi i Rexhinaldos do e kompletonte plotësisht repartin e sulmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *