Futbolli i fëmijëve tani e tutje do të organizohet dhe licencohet, ashtu si futbolli i të rriturve deri në U-17. Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar nismën “Gjithçka për fëmijët, që ka në qendër të vëmendjes pikërisht organizimin dhe licencimin e futbollistëve të të gjitha moshave, në bazë të kritereve të vendosura nga UEFA e FIFA. Në një konferencë për mediat, ku ishin të pranishëm Armand Duka, Lorik Cana e personalitete të sportit e medias, ishin të pranishëm edhe fëmijë e prindër.
Sipas këtij projekti, tani e tutje çdo klub do të duhet të ndajë ekipet në U-7, U-9 e me radhë deri në U-19. Çdo futbollist do të regjistrohet sipas rregullave, Akademitë duhet të kenë buxhet të ndarë nga klubet, duhet të jenë të regjistruara në gjykatë, të kenë kushtet bazë për një skuadër futbolli (fushë stërvitore, ndeshjeje, dhoma zhveshjesh, rrethim fushe, pankina të mbuluara dhe dushe).
Tani e tutje ekipet e moshave do të duhet të ndjekin programin e zhvillimit të fëmijëve dhe të zbatojnë kritere sportive të unifikuara, duke nisur nga puna me trajnerët, që tani e tutje nuk do të lejohen të stërvitin më shumë se dy ekipe, jo të një moshe.