Tiranën e presin 2 teste mjaft të vështira dhe delikate në harkun kohor të një jave. Fillimisht është dueli për kreun që do të luhet ditën e premte kundër Kukësit, ndërsa një javë pas kësaj sfide do të vijë edhe lufta për të dominuar kryeqytetin në derbin ndaj Partizanit.
Skënderbeu u ndali bardhebluve hovin në fundjavë, ku ekipi i Dajës arriti t’i merrte një barazim kryeqytetasve që vinin pas 9 fitoreve radhazi. Por ky barazim me korçarët nuk është aspak për t’u shqetësuar nga Gentian Muça, i cili në një intervistë për “Supersport” është shprehur se ky moment herët apo vonë do të vinte. Gjithashtu kapiteni i Tiranës është ndalur edhe te përballja e radhës me Kukësin, ku sipas tij ai që do të marrë më të mirën këtu do të jetë edhe favorit për të ngritur titullin kampion në fund të sezonit. /Sport Ekspres/
Barazimi me Skënderbeun
“Nuk do të thotë asgjë, pasi më parë kemi barazuar edhe me skuadra që tashmë e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Ne e prisnim që një ditë do të ndaleshim dhe fakti që kjo erdhi pas 7 apo 8 fitoresh, do të thotë që nuk duhet përjetuar si dramë.”
Kukësi – Tirana
“Mendoj se është shumë herët për të thënë vendimtare për fatet e sezonit, por kjo ndeshje do të jetë një test për të dyja skuadrat dhe ajo që do dalë më mirë, do jetë favorite kryesore për titullin. Në “Elbasan Arena” kemi qenë ne dominuesit, ndërsa në ndeshjen tjetër kemi qenë në avantazh, por më pas patëm probleme me dy lojtarët kryesorë. Ekipi i Kukësit është mjaft i mirë dhe ne e respektojmë, por më tepër do të respektojmë veten tonë.”
Tifozët
“Sigurisht që do të ketë më shumë tifozë të Tiranës në shkallët e stadiumit dhe ky është një bonus për ne, pasi kemi gjithmonë përkrahjen në numër të madh të fansave bardheblu.”
Titulli
“Shpresa nuk vdes kurrë dhe shpresoj që të bëhemi të gjithë bashkë, që kjo gjë të realizohet”.