Derbi Tirana-Partizani ka përfunduar në barazim 0-0. Bardheblutë i shkuan pranë fitores, por fati këtë herë nuk ishte në krahun e tyre. Pas përfundimit të ndeshjes trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Veselinoviç (Partizani): “Para së gjithash dua t’i uroj të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në këtë festë të futbollit në Shqipëri. Kjo ndeshje e ka shfaqur atë bukurinë e futbollit. Ndjenjat i kam pak të përziera. Dua të shfaq mirënjohjen time për kolegun, që po punon mirë, edhe për klubin e Tiranës. Dua t’i përgëzoj tifozët për luftën që treguan dhe tifozët që na përkrahën. Pjesa e parë ishte 50-50.
Nuk jam i kënaqur, sidomos në fazën ofensive kur kishim topin. Kërkuam të depërtonim në disa hapësira që as nuk i kemi stërvitur dhe as nuk ishte ideja. Kur humbisnim topin në ato hapësira, linim shumë hapësira për Tiranën që të dilte në kundërsulm. Korrigjuam disa gjëra në pjesën e dytë. Me gjithë respektin për Tiranën, në pjesën e dytë ishim ne ata që dominuam ndeshjen. Ndodhi situata e penalltisë në fund dhe nga një situatë e tillë mund ta humbasësh ndeshjen. Por nuk e meritonim të humbnim ndeshjen me atë që treguam në fushë”.
Magani (Tirana): “Për mënyrën se si erdhi ndeshja duhet ta kishim fituar. Të humbësh penallti në minutën e fundit është diçka që nuk tingëllon mirë. Megjithatë kështu e ka futbolli. Mund të them që s’patëm fat deri në fund. Kishim përballë një kundërshtar që kryeson tabelën. Presioni sportive ishte mbi ne. Vinim në këtë ndeshje pa organikën e plotë. Jam i kënaqur me skuadrën. Sot shënuam gol, që u anullua. Nuk mund të jap një gjykim për golin e anulluar. Humbëm edhe një penallti në fund. Rezultati më i drejtë do të ishte fitorja jonë”./Sport Ekspres/