Ish-lojtari i Kombëtares, Ervin Fakaj, ka bërë një analizë për “Supersport” sa i përket gjendjes së Shqipërisë. Theksi është vendosur te trajneri Reja, që shpeshherë kthehet në “ëngjëllin dhe djallin” për shkakun e luhatjeve të rezultateve. Fakaj ka shprehur vlerësimin e madh për trajnerin italian, por mendon se në këtë moment Kombëtarja ka nevojë për cilësi të tjera.
“Pas periudhës së Panuçit që krijoi tension të madh te Kombëtarja, duhet me patjetër një trajner “babaxhan” si Reja. Duhej pasi i solli qetësinë e nevojshme Shqipërisë. Askush prej nesh nuk ka dyshim mbi kapacitetet dhe njohuritë e mëdha që ka ky trajner. Reja është një profesor i futbollit. Por a është më e mira e mundshme?
Mbetet për t’u diskutuar e gjitha kjo. Për mendimin tim si një zgjedhje më e mirë do të ishte një trajner që do t’i jepte më shumë grintë lojtarëve, më tepër entuziazmin. Reja na solli qetësinë, por tani kemi nevojë për më tepër entuziazëm. Po shoh që është kaq e thjeshtë për lojtarët që të veshin dhe zhveshin fanellën e Kombëtares. Duhet që ta ndiejnë më shumë”, ka thënë Fakaj. /Sport Ekspres/