Pikëpyetja më e madhe në Serinë A sa i përket zgjedhjes së portierit është te Lacio. Pepe Reina apo Thomas Strakosha? Një zgjedhje e vështirë për Inzagin pasi nga njëra anë ofrohet siguria falë eksperiencës së madhe që ka Reina, ndërsa në krahun tjetër është e ardhmja e tyre.
Shumë analistë dhe opinionistë sportiv në Itali janë shprehur se një alternim i këtyre portierëve është shumë e rrezikshme për vetë Strakoshën. Kjo pasi qëndrimi në stol e dëmton më tepër anën e tij psikologjike dhe kjo do t’i shfaqi më tepër pasiguri kur t’i jepet mundësia.
Megjithatë nuk e ndan të njëjtin mendim legjenda e futbollit italian, Dino Zof. Ky i fundit i ka cilësuar si marrëzi të gjitha këto komente: “Epo, nëse do të ishte e rrezikshme, atëherë do të thotë se asnjëri prej këtyre të dyve portierëve nuk është mësuar që të luftojë. Ata janë dy portierë shumë të mirë dhe aset për Lacion, janë kaq të fortë. Unë nuk do të shkoja pas këtyre marrëzive që thuhen”, u shpreh Zof. /Sport Ekspres/