Partizani refuzoi një ofertë për mesfushorin në muajin dhjetor. Aty nisën pakënaqësitë e mëdha. Lojtari donte largimin, klubi nuk e lejoi
Asgjë nuk është rastësi dhe situata me mesfushorin Lorenc Trashi nuk nisi nga hiçi. Lojtari dhe klubi i Partizanit kishin përplasje edhe para se të ndodhte sherri i madh që ndodhi në fazën përgatitore në Antalia, të Turqisë. Burime të ndryshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije se gjithçka nisi para vitit të ri. Më saktë, në dhjetor, kur merkatoja e janarit akoma nuk kishte nisur. Drejtuesit e klubit marrin një ofertë për futbollistin, ky e mësoi dhe situata nuk shkoi ashtu siç donte 25-vjeçari.
OFERTA – Mesfushori Lorenc Trashi mori ofertë nga një skuadër turke. Nuk po flasim për interesim, por për ofertë zyrtare. Ai mund të shkonte të luante në kampionatin turk të futbollit. Klubi turk e priste me krahë hapur, madje mbante edhe letrat e kontratës në duar. Gramshioti ishte gati për të lëvizur dhe për të provuar një eksperiencë tjetër. Dëshira më e madhe e tij është që të kalojë në një kampionat europian me shpresën se do të kapë Kombëtaren. Mesfushori ishte bërë gati për të pranuar ofertën, madje kishte kërkuar hapur edhe largimin nga skuadra e kuqe.
VENDIMI – Drejtuesit e klubit e menduan ofertën e Trashit, por vendosën që të mos lejonin lojtarin të largohej. Titullari është shumë i rëndësishëm për skuadrën e kuqe dhe humbja e tij do të dobësonte ndjeshëm grupin e të kuqve. Pa harruar edhe faktin se këshilltari i presidentit Gaz Demi, Luçiano Moxhi, do ta shesë në të ardhmen. Ndoshta në hënë, ku i dihet. Përfundimisht, klubi i kuq vendosi që futbollisti të mos largohej, ndërsa Trashi u mërzit shumë nga diçka e tillë, pasi ishte një mundësi shumë e mirë për të. Një rast që ndoshta vjen vetëm një herë në jetë dhe nuk mund ta humbasësh.
ECURIA – Mërzia e lojtarit për bllokimin u shfaq hapur. Ai nuk e uli impenjimin në stërvitje, por nuk e kishte më dëshirën e mëparshme. Largimi i Vilës, Malotës dhe Krasniqit ishte edhe një goditje e madhe për mesfushorin, pasi praktikisht iu larguan miqtë. Tashmë, nga garda e vjetër kanë mbetur vetëm Batha dhe Hoxha.