Sot luhet ndeshja më e rëndësishme e këtij sezoni dhe Liverpuli do të ketë misionin e vështirë të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Reali në 5 vitet e fundit
Reali i Madridit është skuadra më e fortë në Evropë, pasi ka fituar 3 herë në katër vitet e fundit Ligën e Kampionëve, kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Madrilenët janë shndërruar ekspertë të këtij kompeticioni dhe kanë arritur finalen e tretë radhazi. Asnjë skuadër më parë nuk e kishte fituar “Champions”-in dy herë radhazi, por Reali e bëri. Tashmë, djemtë e Zidan kanë mundësinë ta fitojnë dhe tri herë, në rast se triumfojnë përballë Liverpulit. “Los Blancos” shihen dukshëm favoritë, por kjo gjë nuk e tremb aspak ekipin e drejtuar nga Jurgen Klop. Të kuqtë e Liverpulit janë gati për të befasuar Realin në finalen e madhe të Kievit dhe të thyejnë hegjemoninë e vendosur nga klubi spanjoll.
Vendosja
Shumë pyetje po bëhen në lidhje me rreshtimin e skuadrave në fushën e lojës. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e këtij sezoni për të dyja skuadrat, pasi kanë mundësinë të fitojnë një trofe në këtë edicion futbollistik. Sytë janë mbi dy trajnerët, Zidan dhe Klop dhe zgjedhjet që ata do të bëjnë në formacion do të jenë vendimtare. Klop e ka një ide të qartë se kë do të hedhë në fushë, pasi Liverpuli vuan nga dëmtimet dhe formacioni është “vetë krijuar”. E vetmja dilemë për teknikun gjerman të Liverpulit është se kë do të aktivizojë në mesfushë, Emre Xhan apo veteranin Milner. Ndërsa për Zidan, punët janë më të vështirë. Në një skuadër të mbushur me yje, tekniku francez e ka të vështirë të zgjedhë. Mësohet se Zizu do të rreshtojë skuadrën me formacionin 4-3-3, ku në sulm do të rikthehet treshja e famshme, “BBC”. Ndërsa në mesfushë do të jenë dyshja e përhershme Kros-Modriç. Mesfushori i tretë është një pikëpyetje, pasi Kasemiro dhe Isko janë në garë me njëri-tjetrin. Mbrojtja pritet të jetë si zakonisht, me Karvahalin dhe Marselon nga krahët, ndërsa në qendër Varan dhe kapiteni Ramos.
Probleme në prapavijë
Të dyja skuadrat kanë treguar probleme në repartin e mbrojtjes këtë sezon. Si Liverpuli, ashtu dhe Reali kanë pësuar shumë gola në “Champions” këtë sezon. Mbrojtja e Liverpulit kishte një test të vështirë përballë Romës dhe në pjesën më të madhe të ndeshjes, u mbrojtën mirë, por gjithsesi pësuan 4 gola. Ndërsa Reali pësoi dy gola kundër Bajernit në gjysmëfinalen e dytë. Por problemet në mbrojtjen madrilene u vunë re më shumë në ndeshjen kundër Juventusit, ku u ndëshkuan tri herë në “Santiago Bernabeu”. Pavarësisht se kanë probleme në prapavijë, të dyja skuadrat dinë të shënojnë dhe njihen për lojën e tyre sulmuese. Gjashtë nga sulmuesit më të mirë në botë do të jenë përballë njëri-tjetrit, në një ndeshje ku golat nuk do të jenë diçka që do të mungojë.
Formacionet e mundshme:
Real Madrid (4-3-3)
Navas – Karvahal, Varan, Ramos, Marselo – Modriç, Kasemiro, Kros – Bejl, Benzema Ronaldo
Liverpul (4-3-3)
Karius – Arnold, Lovren, Van Dajk, Robertson – Vijnaldum, Henderson, Milner – Salah, Firminjo, Mane