Granit Xhaka nuk kishte si t’i përmbante emocionet pas fitores së mundimshme ndaj Serbisë. Mesfushori në intervistën pas takimit ua dedikoi fitoren shqiptarëve, si dhe sqaroi të gjitha keqkuptimet e krijuara nga mediet e huaja për festimin e tij me shqiponjë.
“Kjo fitore më ka mbushur me emocione. Në 15 minutat e para ishim krejtësisht jashtë loje, Serbia na vuri shumë në presion dhe ne shpërdoruam disa raste të mira. Ishim shumë të mërzitur në pushimin e lojës, por treguam se kemi një mentalitet shumë më ndryshe se në të kaluarën, tani mund t’i dalim ballë çdo kundërshtari. Është një ditë shumë e veçantë për mua, kjo fitore shkon për familjen time, për Zvicrën, Shqipërinë dhe Kosovën. Provokimi me festimin? Aspak, është thjesht diçka për personat që më mbështesin, nuk kam pasur qëllim të ofendoj ndokënd”, tha Xhaka.
Shaqiri – Xherdan Shaqiri u shpreh shumë i lumtur për tri pikët e marra ndaj përfaqësueses serbe.
“Sot treguam se jemi zhvilluar shumë si kombëtare. Ata ishin në avantazh, por kurrë nuk e humbëm besimin dhe në fund ia dolëm ta kthenim rezultatin. Jemi të gjithë lojtarë që luajmë në klubet elitare nëpër Europë, dhe arritëm të ruanim qetësinë. Disa vite më parë, nuk do të ishte e mundur ta kthenim këtë rezultat. Jemi më të bashkuar se kurrë, ndihem shumë i lumtur që kontribuova me një gol për këtë fitore, tani na mbetet të fitojmë dhe ndeshjen e tretë”, tha sulmuesi.
Gjatë intervistës Xherdani u pyet edhe për festën me simbolin e shqiponjës dykrenore, pyetje të cilës iu shmang duke thënë: “Unë jam futbollist, politika nuk më intereson” .