Derbi i Partizanit dhe Tiranës solli shumë diskutime në ambientin sportiv shqiptar, atje ku bardheblutë fituan pas 5 vitesh në një përballje direkte. Me rezultatin 1-2 ka mbaruar takimi, që u luajt në “Air Albania”. Një reagim të fortë ka bërë menaxheri i njohur në Shqipëri, Andi Matraxhiu, sa i përket dy lojtarëve të Partizanit. Teksa shkruan në “Facebook” për Romeron dhe Boldor, arsyeja se përse këta futbollistë luajnë sipas këtij shkrimi, është vetëm për shkak të menaxherit të fortë.
“Me të vërtetë derbi u humb nga Partizani, por ta analizosh me detaje, dy lojtarët Romero dhe Boldor gabonin në mënyrë fatale. Veprime të palejueshme në një ndeshje derbi. Gjithkush mund të gabojë, por Romero humbi topin tek të dy golat e shënuar nga Tirana, që erdhën si pasojë e kundërsulmit. Ndërkohë që Boldor gabon rregullisht çdo ndeshje, jo vetëm në derbi.
Të dy këto lojtarë kanë një dorë të fortë menaxhimi nga pas, e cila i mbulon gabimet e tyre brenda për brenda territorit të kuq. Nëse lojtarët do të kishin menaxherë të tjerë, menjëherë do të dilnin tek ‘gardhi’ ata së bashku me menaxherin. Por në rastin konkret, Boldor-Romero & CO janë me “jelekë anti-plumb” dhe duhet kohë t’i “futet gjembi” ne trup… Është koha të kritikojmë dhe të kemi kulturën e duhur për të mirëkuptuar çdo kritikë. Të mos ta quajmë sulm, por pasqyrim të realitetit”, shkruan Matraxhi. /Sport Ekspres/