“Reagimi i Asanit? Ai e di që unë futem e ndryshoj ndeshjen”, Çinari: Aktivizimi nuk mund të vinte më bukur se kaq

Kryeqyteti vishet përsëri me ngjyrën e kuqe, teksa Partizani ka mpshtur 1-0 Tiranën në “Elbasan Arena”. Ndeshja ka pasur një fytyrë krejt ndryshe nga ajo përballje e parë mes këtre dy skuadrave, pasi në fushë nuk ka munguar zjarri i një sfide të tillë apo spektakli nga të dy krahët. Në përfundim të takimit kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport” protagonistët e ndeshjes.

Erald Çinari (Partizani): “Asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi. Kisha minuta të pakta në këmbë, nuk jam në maksimumin tim. Kam 6 muaj pa luajtur. Nuk e kisha menduar kështu. Ëndrrat ndonjëherë bëhen realitet dhe u bë realitet për mua. Aktivizimi erdhi në momentin e duhur dhe nuk mund të vinte më bukur se kaq. Reagimi i Asanit për zëvendësimin? Asani e di shumë mirë që unë mund të futem dhe të ndryshoj ndeshjen.

Vllaznia është me meritë aty, ka lojtarë me kualitete. Kanë bërë një kampionat shumë të mirë, por të mos harrojmë edhe Partizanin. Partizani beson te titulli sepse ka lojtarë kampionë dhe me cilësi. 9 pikë janë, ndërkohë që do të zhvillohen edhe 22 ndeshje. Sa herë kam shënuar, kam marrë mesazhe të shumta nga shkodranët. Jam futbollist profesionist dhe mendoj vetëm për ngjyrat e kuqe. Akoma nuk jam në maksimumin tim, por nëse trajneri vendos të më aktivizojë, unë do të jem gati. Gjithçka është në dorën e trajnerit”.

Nevil Dede (Tirana): “Çdo njeri e sheh ndeshjen dhe futbollit sipas këndvështrimit të tij. E falëm një ndeshjen, për shumë arsye. Gabuam në disa momente. Në pjesën më të madhe të lojës kontrolluam ndeshjen. Gjithçka ishte nën kontroll dhe skuadra funksionoi në ekuilibër. Humbja në derbi djeg shumë dhe të le një shije jo të mirë. Mund të administronim më mirë. Gabimet sollën ndëshkimin tonë.

Kale dhe Celhaka po rikthehen. Dy sulmuesit që kemi marrë do të na japin më shumë thellësi dhe pika pasimi, ku skuadra mund të dalë më thjesht. Seferi bëri mirë, siç bëri mirë edhe skuadra në përgjithësi. Jam  i kënaqur me Seferin, është kohë e gjatë që nuk ka luajtur. Shpresojmë të bëjë mirë edhe në ndeshjet në vazhdim. Muçi mund të bënte shumë herë më mirë sot. Ndoshta ngarkesa e derbit ka bërë punë e saj. Janë një dyshe interesante me Seferin. Kjo ka qenë ndeshja më e mirë që ne kemi zhvilluar nën drejtimin tim.

Është rezultati ai që mbahet mend, pavarësisht statistikave. Dalja e Bathës me të kuq na prishi ekuilibrat. Jam i qetë dhe gjithmonë kam qenë që arbitrat janë pjesë e lojës, siç gabova unë dhe skuadra jonë, mund të gabojnë dhe arbitrat. Tirana me Bathën u penalizua më shumë. E kishim ndërtuar manovrën tonë nëpërmjet Bathës, Muçit dhe Seferit. Torasa bëri super ndeshje. Po të ishim më altruistë, mund ta kishim zgjidhur ndeshjen. Duhet të pranojmë që Seferi ka pak kohë me ne dhe i duhet kohë të përshtatet. Në dyshe me Muçin, ata mund të bëjnë gjithmonë mirë.

Është e vështirë, duhet të presësh që kundërshtari të gabojë 5 herë dhe ne mos bëjmë asnjë gabim. Duhet të jemi gjithmonë këmbëngulës dhe të bëjmë punën tonë. Kemi bërë shumë gabime dhe kemi shpërdoruar shumë. Ndoshta skuadra do të jetë më imponuese dhe duhet të shënojmë më shumë.

Kur të rikuperojmë Çelhakën dhe Kalenë, atëherë besoj se do të jetë një skuadër që të pretendojë për kampion. Nuk heqim dorë nga objektivat tona. Do të dalim në cilësitë tona më të mira, që skuadra të shprehet sa më mirë. Kam mësuar nga futbolli që i vogël, që mbi të gjitha duhet të përcjellim mesazhe që është “Fair Play”. Rezultati është gjithmonë në plan të dytë”.

 

Ilir Daja (Partizani): “Përveçse ishte ndeshje e radhës dhe na kënaqin tri pikët, derbi ka një bonus psikologjik të madh. Por të shikojmë 90-minutëshin, kemi qenë superiorë, me shumë situata para porte në raport me kundërshtarin. Ishte fitore me rezultat dhe lojë.

Për vonesën në ndërrime, po bisedoja me stafin. Bashkë vendosëm që, meqë Çinari e Junior nuk kanë patur minuta prej shumë muajsh, më mirë të fusnim në fillim Carën, sepse do të ishte risk nëse do t’i aktivizonim të dy. Njoftimi zyrtar për Çinarin erdhi vetëm një ditë para derbit dhe nuk mund të ndryshonim atë që kishim bërë gjithë javës.

Kartonët e kuq? Po merrem vetëm me lojtarin tim. Kur e kam parë përsëritje, portieri ka dalë përpara Bardhit, ai ka qenë duke vrapuar, nuk e ka parë. Arbitri mund ta kishte kaluar këtë episod. Biseda me Asanin? Një lojtar me mentalitet fituesi është e vështirë ta pranojë ndërrimin, sidomos në derbi. Po punonte shumë, më të dyja fazat e lojës. I thashë që na duhej të bënim gjëra të tjera, na duhej forcë fizike për të fituar ndeshjen.

Sa i përket Malës, ai është raskapitur, ka bërë shumë punë. Po mendoja që të ktheja Brojën në qendër të mbrojtjes e të aktivizoja Idrizajn, por fola me Idrizajn ai është një djalë i shkëlqyer, dhe vepruam ndryshe. Tirana jashtë garës? Atë e di stafi i Tiranës. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mendojmë për ndeshjen me Teutën“, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *