Çfarë po ndodh me Armando Sadikun? Një tjetër sulmues që te Shqipëria u rritën aq shumë shpresat pas paraqitjeve të tij fantastike me Kombëtaren. Por emri i këtij lojtari nisi të shuhej dalëngadalë pas mbërritjes në Turqi. Asnjë gol i realizuar me Erzerumsporin në elitë dhe largimi pas vetëm gjashtë muaj te Bolivari. Por edhe në kampionatin e Bolivisë nuk është asgjë e lehtë, pavarësisht entuziazmit të madh të Sadikut në nisjen e kësaj aventure.
Qartësisht është parë në fushë se Sadiku qëndron disi larg nga futbolli fizik që luhet në këtë vend. Në ndeshje kundër Blooming, sulmuesi shqiptar luajti për 90 minuta dhe u konsumua aq shumë fizikisht aq sa shpërdoroi raste flagrante përpara portës.
E për këtë arsye trajneri e uli në stol në mbrëmjen e djeshme kundër Junior, në takimin e vlefshëm për “Copa Libertadores”. Sadiku do të aktivizohej në minutën e 83 dhe nuk kishte asnjë mundësi të vetme për të lënë gjurmë. Nëse do të kërkojmë për golin e fundit zyrtar të tij, atëherë duhet të kthehemi shumë pas në kohë, në periudhën kur ishte pjesë e Malagës. /Sport Ekspres/