Behar Ramadani do të zhvillojë sezonin e tretë me Luftëtarin. Në përfundim të kampionatit ka pasur kërkesa edhe nga ekipe të tjera, por nuk i ka pranuar ato, edhe pse duhet thënë se është ende nën kontratë. Mesfushori në disa ndeshje ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe është kandidati kryesor për të mbetur “gjenerali” i ekipit pas largimit të Orjad Beqirit. Ramadani ka qenë lojtari më i qëndrueshëm gjatë ndeshjeve të këtij kampionati, duke munguar vetëm në dy takime për arsye kartonësh. Tani që ekipi i Luftëtarit ka filluar përgatitjet për ndeshjen e turit të parë të Europa Ligës, Ramadani shfaqet tepër optimist, teksa deklaron se skuadra gjirokastrite edhe në sezonin e ardhshëm do të mbetet përsëri midis ekipeve më të mira.
DEKLARATA – ”Përfaqësimi në kupat evropiane është diçka e veçantë për ekipin tonë, pasi e kemi për herë të parë dhe na jepet mundësia ta bëjmë të njohur Luftëtarin në Evropë. Përgatitjet e tanishme kanë vlerë të dyfishtë, sepse na japin mundësinë jo vetëm të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e turit të parë, por na shërbejnë edhe për ndeshjet e kampionatit. Një vit më parë filluam stërvitjen një muaj me vonesë dhe kjo ndikoi negativisht në ndeshjet e fillimit të kampionatit. Edhe grupi i lojtarëve u plotësua me disa ditë vonesë. Tashti jemi më përpara në kohë dhe shumica e grupit të futbollistëve ka mbetur këtu, çka na jep mundësinë të zhvillojmë një lojë kolektive. Dihet që forca e ekipit tonë qëndron pikërisht te loja në grup. Nën drejtimin e stafit të ri teknik, edhe pse janë ditët e para të stërvitjes, e kemi marrë seriozisht stërvitjen. Për të ardhmen kam bindjen e plotë se do të jemi skuadra që do t’i japim tonin kampionatit dhe do të qëndrojmë përsëri në zonën evropiane. Sa për ndeshjen e turit të parë të Europa League, nuk mund të shprehem përderisa ende nuk dimë se me cilën skuadër do të ndeshemi. Në grupin e skuadrave rivale ka ekipe shumë të forta, por do të jetë shorti që mundet të na favorizojë për të kaluar turin e parë. Edhe sikur të njihesha me ekipin kundërshtar, duhet të kemi parasysh se nuk ka ekipe të lehta dhe të garantojmë kualifikimin. Unë mund të deklaroj se do të japim maksimumin, ose siç e themi ndryshe, do japim shpirtin në fushë. Këtë ta imponon përfaqësimi në ndeshjen ndërkombëtare dhe ky rast nuk përsëritet gjithmonë, prandaj nuk ke pse të mbash rezerva apo të ruash forcat për ndeshjen tjetër, aq më shumë që Luftëtari e ka për herë të parë përfaqësimin në Evropë. Na duhet të nderojmë fanellën e kësaj skuadre, duhet të japim maksimumin edhe për një arsye tjetër: atë të respektit që gëzojmë nga tifozëria gjirokastrite, por edhe prej përkujdesjes nga presidenti Tavo dhe drejtuesit e tjerë. Ne që jemi sot pjesë e Luftëtarit nderojmë jo vetëm veten tonë, por edhe të tjerët nëse historinë dhe traditën e futbollit të këtij qyteti e bëjmë të njohur edhe në Evropë. Duhet të mos mjaftohemi vetëm në këtë sezon, por edhe në vitet e ardhshme”, shprehet Ramadani.
RAPO – Lojtari polivalent po mbyll sezonin e tretë me Luftëtarin dhe nuk do të largohet nga bluzinjtë, pasi ka nënshkruar edhe për dy vite të tjera. Donald Rapo vjet ka luajtur më shumë se në sezonet e shkuara, teksa ka arritur të shënojë edhe tre gola. Luan në qendër të mbrojtjes, në të majtë, si dhe në qendër të mesfushës, duke i ofruar mundësinë stafit teknik që ta përdorë ku të ketë nevojë në raste emergjence. Futbollisti 27-vjeçar ka qenë gjithnjë aty dhe ka dhënë kontributin e tij për Luftëtarin në këto tre sezone të suksesshme.