Kapiteni i Realit të Madridit do të mungojë në takimin e nesërm për shkak kartonësh. Por nuk dyshon tek shokët e ekipit
Reali i Madridit ka vetëm një objektiv në këtë sezon, Liga e Kampioneve. Në fakt ky është trofeu që lakmohet më shumë në “shtëpinë e bardhë” në Madrid. Madridi e ka fituar 3 herë në 4 edicionet e fundit Ligën e Kampioneve, ndërsa në këtë sezon kërkon titullin e tretë radhazi. Pasi i kanë dhënë lamtumirën titullit dhe Kupës së Mbretit, skuadra e Zinedin Zidanit mendon vetëm për Championsin.
Reali do të kërkojë nesër të mbrëmje të sigurojë për herë të 13-të një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. “Los blancos” presin Juventusin me avantazhin e akumuluar në takimin e parë, të fituar 3-0. Dy herë Ronaldo dhe Marselo e kanë vënë në pozita tepër komode ekipin e drejtuar në Zizu, duke fituar 3-0 në Torino. Por takimi i kthimit pritet të jetë disi i ndërlikuar për Realin. Kjo pasi në ekip do të mungojë një nga kolonat e Madridit, kapiteni Serxhio Ramos. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e një jave më parë në “Juventus Stadium” dhe do të mungojë nesër në mbrëmje.
Deklarata – Pikërisht ka qenë kapiteni i Realit, Serxhio Ramos i cili ka folur për takimin e nesërm. Ndonëse vetë nuk do të jetë në fushë, por do të vuajë nga tribuna, Ramos ka deklaruar se beson plotësisht tek shokët e ekipit. Madje, ai ka shkuar dhe më tej, duke shprehur dhe një dëshirë të madhe, atë të një finaleje të mundshme me Barcelonën.
Edhe Barça është në rrugën e duhur drejt një vendi në gjysmëfinale pas fitores në takimin e parë kundër Romës 4-1. Një “El Clàsico” në finalen e Champions do të ishte qershia mbi tortë e kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh në Evropë. “Etiketa e favoritit për Ligën e Kampioneve nuk i pëlqen askujt, por fakt është se ne e kemi vërtetuar në fushë se jemi mes pretendentëve për t’i shkuar deri në fund. Ne duam të qëndrojmë të qetë dhe të thjeshtë, duke ia lënë diskutimet mediave.
Por është e qartë se nëse në historinë tënde numëron 12 trofe, sytë të shkëlqejnë ndryshe, janë më të shndritshëm. Do të ishte një trishtim i madh në Madrid nëse do ta mbyllnim sezonin pa asnjë trofe. Për fat të keq jemi jashtë garës në La Liga dhe jashtë garës në Kupën e Mbretit. Por kemi ende shanse për të fituar një trofe, sepse ndodhemi në lojë në Champions. E dimë se rruga do të jetë e vështirë dhe plot pengesa.
E para është Juventusi. Kemi fituar ndeshjen e parë, por janë dhe 90 minuta të tjera. Unë kam besim se do të kalojmë më tej, kam besim tek shokët e ekipit. Finale me Barcelonën? Nuk ka ndodhur ndonjëherë në të kaluarën dhe do të ishte diçka e bukur për të përjetuar një të tillë”- ka thënë kapiteni i Realit, Serxhio Ramos.