Gjermania fitoi dje ndaj Suedisë me golin e Toni Kros në minutën e 95-të, me një gjuajtje të bukur nga goditja e dënimit fituar nga Timo Verner në të majtë të sulmit gjerman.
Atë faull e shkaktoi mesfushori Xhimi Durmaz, i cili u fut në minutën e 74-t në fushë, për të ndihmuar mbrojtjen në fazat finale, kur ofensiva gjermane po arrinte kulmin.
29-vjeçari u konsiderua fajtor për golin e pësuar, sepse mund ta evitonte faullin në minutën e fundit shtesë, por ajo që ndodhi pas ndeshjes është e turpshme dhe skandaloze.
Ofendime, sharje raciste dhe kërcënime drejtuar mesfushorit në rrjetet sociale kanë alarmuar Federatën Suedeze.
Durmaz ka lindur në Suedi, por prindërit i ka asirianë të emigruar nga Turqia, ndaj ngjarja është edhe më serioze, sepse ka pasur racizëm të hapur ndaj futbollistit, i cili gjithsesi nuk duket i shqetësuar.
“Nuk është asgjë për të cilën ia vlen të shqetësohem. Jam këtu, krenar që përfaqësoj vendin tim. Gjithnjë ndjej urrejtje nga disa njerëz, le të vazhdojnë kështu”.
Në mbrojtje të mesfushorit ka dalë sulmuesi Xhon Guideti: “Ai vrapoi dhe luftoi për gjithë kohën që ishte në fushë, ishte thjesht i pafat. Është një idiotësi të krijohet urrejtje kaq e madhe”.
Ndërkaq, Federata Suedeze ka dorëzuar një denoncim në polici, për të hapur një hetim për gjithë personat që kanë përdorur ofendime me sfond racist dhe kanë kërcënuar futbollistin e Tuluzës, i cili ka luajtur 48 ndeshje me kombëtaren, duke qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm.
“Nuk do të tolerojmë që një futbollist të trajtohet në këtë mënyrë, ndaj kemi denoncuar gjithçka, me miratimin e Durmazit. Është thellësisht shqetësuese dhe tronditëse të jesh dëshmitar i trajtimit që i është bërë Durmazit nga njerëz të ndryshëm, me kërcënime të hapura deri te familja. Është krejtësisht e papranueshme, një idiotësi dhe racizëm i pastër”, tha sekretari i Federatës Suedeze Hakan Shjostrand. “E kuptoj zhgënjimin për një humbje në sekondat e fundit, por duhet pranuar humbja e hidhur me pak dinjitet dhe mirësjellje. Jemi të gëzuar që shumica e tifozëve që mbështetin kombëtaren kanë shfaqur dashurinë e vet për Durmaz”.
Ndërkaq, mesfushori Albin Ekdal tha për tabloidin suedez Aftonbladet: “Xhimi nuk ka faj. Njerëzit nuk duhet të fajësojnë vetëm një person, sepse fitohet si skuadër dhe humbet si skuadër”.