Shqipëria ka luajtur sot ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë janë përballur me Bjellorusinë në transfertë në një sfidë që do të përcaktonte edhe vendin e parë në grup. Ekipi ynë kombëtar ka fituar me shifrat 0-2 falë golave të Manajt dhe Hysajt. Kjo fitore ka bërë që kuqezinjtë ta përfundojnë kompeticionin në krye të grupit. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”.
Mitaj: “Luajmë shumë mirë me Pilon. Është një lojtar që luan mirë dhe e merr mirë krahun. E bëjmë mirë këtë punë në krahë të majtë. Për sa i përket qetësisë ësht? diçka që e kam pasur që kur kam qenë i vogël, që kur kam filluar të luaj futboll. Më pëlqen futbolli, argëtohem kur luaj. Gjithmonë kur fitojmë ndeshjet ka festë në dhomën e zhveshjes, sidomos kur fitojmë edhe vendin e parë”.
Gjimshiti: “Baza eksiston. Tashmë prej një kohe të gjatë shumë prej çunave jemi bashkë në këtë Kombëtare. Ata të rinj që vijnë na përmirësojnë si ekip dhe si Kombëtare. Nuk ka limite. Të përmirësohemi dhe të shikojmë përpara.
Shehu: “Jam shumë i lumtur që performova mirë. Kemi potencialin dhe kualitetin e duhur për tu përballur me ekipe më të forta. Jemi në rrugën e duhur. Europianin shpresoj ta arrijmë me anë të kualifikueseve dhe jo me anë të play off-it” ./Sport Ekspres/