Qaka, gati për “trampolinën” e madhe!

Rumania ishte vetëm një faqe e librit që karriera e mesfushorit do të shkruajë. “Braga ka bërë ofertë zyrtare, por më duan edhe në Suedi”. Iasi kërkon të paktën 2 mln euro

E dinte edhe ai që trampolina në Rumani, te skuadra e Politehnika Iasi, ishte thjesht mundësia që të dallohej edhe më shumë, pasi tashmë është gati për një “kërcim” më shumë, në një tjetër nivel. Në fakt, që pas debutimit me kombëtaren e Shqipërisë (edhe pse fare pak), në gjurmët e tij janë vënë shumë skuadra, kryesisht nga ligat e dorës së tretë, por edhe ato të mira, si Italia, përshembull, duke qenë se vëzhgues të ndryshëm kanë qenë në stadium.

Portali “Nettavisen.no” ka intervistuar Qakën duke iu referuar pikërisht këtyre shkrimeve dhe futbollisti ka konfirmuar gjithçka për median norvegjeze. “Edhe unë i kam lexuar lajmet gjithashtu dhe kam folur rreth një javë më parë me presidentin. Ai më tha që është e vërtetë dhe që do të flasim më shumë rreth kësaj çështje kur të kthehemi nga pushimet”, ishte përgjigja e Qakës.

“E vetmja gjë që më është thënë specifikisht është se Braga ka bërë një ofertë ndërsa ka interes edhe nga Suedia. Nuk di të them për këtë të fundit nëse është e vërtetë”. Megjithatë, transferimi i tij në janar duket gjë e kryer dhe këtë lojtari e bën thuajse të sigurt. “Mund të ndodhë shumë shpejt që të transferohem dhe besoj se mund të ndodhë. Në klub e dinë se objektivi im është të lëviz drejt kampionateve më të mëdha. Sa përqind mundësi ka? Sipas asaj që kam dëgjuar, dhe si e kuptoj situatën tani, ka 80% mundësi të transferohem. Spanja i përshtatet më shumë stilit tim të lojës, por nëse është La Liga, Seria A, apo Portugalia, nuk ka shumë rëndësi, të gjitha janë kampionate të mëdha. Nga ajo që kam dëgjuar nga menaxheri, transferimi mund të ndodhë shpejt. Por më është kërkuar që të përqendrohem vetëm të futbolli dhe të mos mendoj shumë për gjëra të tilla”, tha Qaka, i hapur për çdo destinacion në këto vende.

Një rol shumë të rëndësishëm në këtë transferim e luan edhe trajneri i përfaqësueses, Kristian Panuçi, të cilit i ka bërë përshtypje paraqitja e futbollistit në ditët e grumbullimit me Kombëtaren para miqësores me Turqinë. “Ai ishte u kënaqur dhe më tha që ishte i lumtur që më gjeti mua. Ai priste me padurim që të vazhdonim punën bashkë dhe mendoj se do të më besojë edhe në të ardhmen”, tha Qaka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *