Në janar ka mbushur 20 vjeç dhe vetëm këtë sezon po provon veten në futbollin e vërtetë, duke u bërë pjesë e Vllaznisë B, por edhe e ekipit të parë. Belajdi Pusi ka vite që shihet si një ndër lojtarët e së ardhmes te Vllaznia, por nuk është e lehtë për asnjë trajner që t’i japë hapësirë në ekipin e parë, duke parë hallet e Vllaznisë këto vitet e fundit. Megjithatë, te Vllaznia B trajneri Kraja i ka dhënë besim të plotë dhe Pusi ka shënuar 3 gola në 13 ndeshje, pa harruar dy gola në Youth League kundër moldavëve të Zimbrut. Në ekipin e parë nuk e pa fushën derisa erdhi në drejtim Ernest Gjoka, i cili i dha pak minuta ndaj Tiranës në kupë, në fund të vitit të shkuar, ndërsa debutimin në kampionat ia mundësoi ndaj Skënderbeut javën e shkuar, në shtesë.
Të shtunën Gjoka i dha pak më shumë se 10 minuta dhe Pusi ia shpërbleu, sepse me prekjen e parë të topit arriti të shënonte. Jo keq, një gol për rreth 15 minuta futboll në Superiore. Pas ndeshjes, Pusi i emocionuar deklaroi: “Është goli im i parë me Vllazninë dhe natyrshëm që është një ëndërr e bërë realitet. Pa diskutim që më motivon të punoj edhe më shumë në të ardhmen që të vazhdoj të rritem si lojtar. Shpresoj të vazhdoj të bëj sa më shume gola të tjerë! Falënderoj shumë profesor Nestin, së bashku me stafin, për besimin që më dhanë, po ashtu edhe shokët e ekipit për mbështetje”.