Dhuna është vendstrehimi i fundit i të paaftëve… Dhuna është një mungesë fjalori, por sidomos dhuna nuk është forca por dobësia, dhe kurrë nuk mund të krijojë diçka, por vetëm të shkatërrojë atë që ekziston…
Themi këtë parantezë, teksa shohim pamjet e videove amatore të publikuara në lidhje me ngjarjen e rëndë sot në Këlcyrë, aty ku dhuna u bë “kryefjalë” dhe që vazhdon të pasurojë kampionatin e Kategorisë së Dytë, çdo fundjavë. Njëherë futbollistët rrihen mes tyre, njëherë rrihet anësori, njëherë arbitri kryesor dhe njëherë goditen futbollistët me sende të forta. Të duken pamje si “far west”, pra “Perëndimi i Egër” amerikan, atëherë kur më të fortët dhe ata që dinin të përdornin pistoletat, kërkonin duele dhe vrisnin ata që kishin inat, ose bënin edhe “zap” një qytet të tërë.
Por, në mungesë të pistoletës, këtu përdoren shqelma, grushte dhe ndonjëherë edhe sende të forta. i mjeri Bad Spenser (që nuk jeton më) do të donte të ishte pjesë e këtij “sporti”, ndryshe i quajtur “pushtimi barbar”, për të provuar veten kundrejt disa kafshëve që, duke i kërkuar falje species në fjalë, me sportin nuk kanë asnjë lidhje.
Ngjarja në tërësi është e thjeshtë dhe me një fjali mund të shpjegohet: arbitri akordon penallti në të 83’ dhe lojtarët vendas e masakrojnë me grushte dhe shqelma… Mirë, apo keq, penalltia u akordua. Në Kukës, Skënderbeu, sezonin e shkuar, humbi titullin për faj të një arbitri të papërgjegjshëm. Atëherë, duhet që Hamdi Salihi të nxirrte një “kallashnikov” dhe të bënte masakër, por u limitua vetëm që të griste kartonin e kryesorit… Vetëm ofendime dhe fjalë, asgjë më shumë…
Ndërsa, në Këlcyrë, fjalët dhe ofendimet janë për “fëmijë”. Burrat gjuajnë me grushte dhe shqelma.
Ose më saktë, burravecët. Sepse 10 kundër 1 nuk është burrëri.
Dhe, nëse doni ta ktheni arenën e futbollit në një arenë ringu apo “Koloseu”, atëherë mos mbani veshur fanellën e një klubi, që ka tifozë shembullorë në gjirin e tij, njerëz që shkojnë për të kaluar ditën e diel në stadium, por edhe sigurisht atë pjesë të “mykur” të tribunës…
Ata që thërrasin për dhunën…
“Ishte mesi i pjesës së dytë dhe çdo gjë po shkonte si në çdo ndeshje të kësaj kategorie”, tha ekskluzivisht për EDS gjyqtari i dhunuar.
Më tej ai vijoi: “Në momentin që pash që topi u prek me dorë akordova penallti sipas rregullores. E dija që do kishte kundërshtim duke ditur dhe kateegorinë ku po gjykoja, por jo në atë mënyrë. Më erdhën dy lojtarë nga stoli, njërin e kisha nxjerrë me të kuq, dhe një lojtar nga fusha që më gjuajti. Më pas çdo gjë u ndez, teksa fajtor bëj trajnerin e skuadrës së Këlcyrës, i cili inicioi gjithçka. Tani ndihem më mirë, por ajo që kalova ishte e tmerrshme”, përfundon Paço.
https://www.facebook.com/procesisportiv/videos/1691077817620342/
Solidarizimi i gazetës shkon për gjyqtarin kryesor Alvi Paço, që përjetoi ferrin me sy dhe shpëtoi mirë. Sepse, disa policë u kujtuan se duhet mbrojtur ndonjëherë edhe ai që mbetet i vetëm kundër të gjithëve. Ndërkohë, klubi i Këlcyrës bën mirë të përjashtojë disa futbollistë, por menjëherë. Sepse, nëse nuk ndihet dhe hesht, atëherë do të thotë të pranosh se mbetesh një barbar dhe se me futbollin nuk ke lidhje. Atëherë, pse të vazhdosh në këtë kompeticion?
https://www.facebook.com/JETAOSHQEF/videos/10155494164283371/