Kur Kristiano Ronaldo kaloi nga Sportingu i Lisbonës te Mançester Junajtid në vitin 2003, ishte një talent interesant, por vetëm kaq. Askush nuk e mendonte se ai djalosh thatanik dhe do të kthehej në një “përbindësh”, me një rritje fizike dhe muskulore të pabesueshme, fryt i një pune konstante dhe maniakale mbi trupin e vet. Dietë e pasur me proteina, aspak alkool, një jetë e shëndetshme dhe mbi të gjitha stërvitje mjaft intensive, 5 herë në javë.
Në moshën 18-vjeçare luante me Portugalinë U-21, me një fizik shumë ndryshe nga ai që jemi mësuar ta shohim. “Isha i dobët, pa muskuj, por e dija që kisha shumë talent dhe vendosa të punoj më shumë nga të gjithë”, tregon Ronaldo, i cili pas kalimit në Angli nisi të kujdesej në mënyrë të jashtëzakonshme për veten.
Palestër, stërvitje pa fund, por edhe vizita te dentisti dhe te dermatologu, për të ndërtuar imazhin perfekt.
Në 2008 erdhi Topi i Artë, i pari nga 5 të tillë. Tani Ronaldo është një njeri me aftësi jonatyrore, një makineri perfekte, një 33-vjeçar me fizikun e një 23-vjeçari. Morali i fabulës: talent mund të kesh sa të duash, por i madh bëhesh vetëm me punë, shumë punë!