PSG futet mes Juventusit dhe Ronaldos, tund paratë për të joshur yllin portugez të ndërrojë fanellë

Rrugët e Juventusit dhe të Ronaldos mund të ndahen në verën e ardhshme. Megjithëse u përfol se bardhezinjtë i ofruan rinovim kontrate yllit portugez për ta mbajtur të veshur fanellën e tyre deri në vitin 2024, duke i besuar kështu deri në moshën 39-vjeçare. Por tashmë në skenë del emri i PSG-së, që sipas spanjolles “Diario Gol” do të synojë të marrë shërbimet e Cristiano Ronaldos.

Klubit francez nuk i mungojnë aspak të ardhurat dhe është i gatshëm ta mbushë me para 5 herë fituesin e Topit të Artë. Neymar ka nisur të flirtojë sërish me Barcelonën dhe marrëdhënia me PSG-në prej kohësh nuk është e qetë, gjë që mund të sjellë largimin e tij nga Parisi. Për këtë arsye gjigantët francezë kanë hedhur sytë drejt Ronaldos për të udhëhequr majën e sulmit. Megjithatë gjithçka pritet të zbulohet në verën e ardhme./Sport Ekspres/