Gjuha e përdorur nga Fino në debatin ndaj Dukës i ngjante gjithnjë e më shumë politikanit që ka hedhur kandidaturën për tu votuar direkt nga populli. Ajo gjuhë nuk ishte për 66 anëtarët e federatës shqiptare të futbollit. Më shumë se sa t’u thoshte atyre çdo bënte për ta, ai parashtroi një mori akuzash, një agresivitet që e bëri debatin simpatik, por atë vetë ndoshta humbës. Ja arsyet.
Premtimet
Fino u limitua së premtuari 5 stadiume dhe rikthimin e besimit te futbolli. Ai nuk i tregoi komunitetit se si do jetë raporti i tij me shtetin dhe me UEFA-n. Ai nuk kishte një plan të detajuar investimesh dhe asnjë projekt në tryezë për zhvillimin apo masivizimin e futbollit. Ai nuk e ceku aspak temën aq delikate të taksimit të lartë apo shpenzimeve që tatohen nga të ardhurat, nuk u mor në asnjë moment me sponsorët që mund të afrohen në futboll me të, nuk shtroi në skrivani asnjë ide alternative për garën, formulën e saj, rritjen e konkurrencës dhe ndarjen e ligave profesioniste me amatoret. Ai nuk foli aspak për rëndësinë e statusit të Shqipërisë në UEFA dhe nuk u interesua fare të shpjegonte nëse klubet nën drejtimin e tij do kishin më ë shumë të ardhura dhe nga do vinin këto.
Akuzat
Duke kërkuar të sulmojë direkt Dukën, Fino harroi për një moment që votuesit e tij, 66 të tillë, gjysma prej tyre me karakter direkt në biznesin e futbollit, njerëz me integritet, biznesmenë, të cilët mundohen në çdo moment të krijojnë të ardhura duke ushqyer dhe menaxhuar klubet. Fino i trajtoi anëtarët i “dele” të cilët nuk dinë ç’bëjnë. Ai e akuzoi garën e futbollit si të paracaktuar dhe e konsideroi Dukën një sulltan në këtë logjikë, por ndërkohë në fushë luajnë ekipet dhe pas ekipeve janë klubet e presidentët e tyre. Jo vetëm që nuk u bëri atyre asnjë premtim, por hodhi dyshime të forta mbi mënyrën e tyre të funksionimit. Fino e trajtoi komunitetin futbollit si një ndërmarrje shtetërore të 1991-it që duhet privatizuar, por në fakt kjo fazë në futboll ka kaluar.
Personale
Duke imituar politikën, Fino mendoi se e gozhdoi Dukën me akuza që ai megjithëse nuk është as prokuror e as gjyqtar i serviri si të vërteta absolute. Ai e akuzoi Dukën si hajdut, ndërkohë që FSHF është OJF që funksionon sipas ligjeve të shtetit, auditohet nga një kompani ndërkombëtare e licencuar, ka një asamble vjetore që menaxhon bilancin dhe buxhetin e madje ka një monitorim të frikshëm nga UEFA. Shumica e fondeve të FSHF-së vijnë nga UEFA dhe akuzat e Finos nuk shkojnë ose janë populizëm. Si ka mundësi që UEFA asnjëherë nuk është ankuar nga veprimtaria e Federatës Shqiptare të Futbollit? Futja e bizneseve të Dukës si sponsor të aktivitete sportive jo vetëm që nuk duhet konsideruar një Pazar, por përkundrazi duhet thënë një ‘faleminderit’. Këto kompani nuk marrin, por i japin futbollit para. Fino ngjante shumë interesant teksa akuzonte me shifra krejtësisht alogjike e teksa ndihej qartë që kishte mungesë informacioni. Ndër të tjera që Federata ka shpenzuar 1 milion euro në vit për udhëtime, por harroi se federata ka detyrim të krijojë kushte për të paktën nja 10 ekipe kombëtare të cilat udhëtojnë të paktën 5-6 herë në vit. Llogaritë bëhen thjesht. Drejtuesit e klubeve i dinë të gjithë këto. Një ndeshje kushton të paktën 50 mijë euro dhe ajo shifra prej 1 milionë eurosh e shpenzuar për një duzinë aktivitetesh të ngjan më së logjike. Jo rastësisht shumica e klubeve me presidentin janë rreshtuar kundër Finos në këtë fushatë. A mos janë ata president të gjithë budallenj dhe nuk e dinë që po vidhen?Shprehja ‘do t’u hap sytë’ i ngjason një përalle. Sytë kujt?
Ndjesia
Në fund Fino mendoi se fitoi, sepse për hir të së vërtetës, foli më shumë, bëri zhurmuesin, akuzoi pa fund dhe me vështirësi Duka i merrte fjalën. Nëse debati do ishte një ndeshje futbolli, presingu i Finos ishte për t’u admiruar, por zgjedhjet dhe debate janë tjetër gjë. Fino foli madje gjatë për burgun, prokurorinë, policinë, trukimet, fjalë që komunitetit të futbollit dhe atyre që votojnë ua bezdisi veshin. Fino akuzoi klubet për manipulim delegatësh, duke harruar që klubet janë shoqëri tregtare dhe ia delegojnë votën kujt të duan. Çdo anëtar me të drejtë vote që nuk i përket rrethit të bashkive mund të ketë drejtën të pyesë: përse duhet të votojmë Finon? Çfarë ka bërë dhe çfarë do bëjë? Ai nuk u përgjigj për asnjërën. Ai u mor me Dukën!