Mesfushori shkodran: Kukësi uroj të fitojë Kupën, ndërsa Gurit që të shënojë sa më shumë, por jo në këtë ndeshje. Edhe me Ronaldon e Mesin Vllaznia nuk bën më mirë nëse nuk privatizohet
Jurgen Zela
Edon Hasani la në fundin e vitit të shkuar Vllazninë për një aventurë jashtë vendit, duke u transferuar në Iran te skuadra e Sepahanit. Shkodrani në Shqipëri ka përfaqësuar vetëm dy skuadra, Vllazninë dhe Kukësin, të cilat këtë javë luajnë me njëra-tjetrën. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, 26-vjeçari flet për ecurinë në Iran, bën krahasimin me kampionatin shqiptar dhe më pas analizon përballjen e dy ish-skuadrave të tij. Normalisht ai nuk e fsheh aspak që mbështet Vllazninë, për të cilën ka besim se do të mbijetojë dhe do të triumfojë në Kukës të hënën. Ndërsa në krahun tjetër për kampionët uron që të fitojnë Kupën e Shqipërisë, por njëkohësisht ka dhe një mesazh për Sindrit Gurin.
– Edon, si po shkon aventura juaj e re në Iran me skuadrën e Sepahanit?
Deri tani çdo gjë po shkon mirë. Ambientimi ishte i shpejtë, pasi nuk ishte hera e parë që unë luaja jashtë vendit. Më kanë pritur mjaft mirë të gjithë këtu si drejtuesit, lojtarët dhe stafi teknik që të ambientohem sa më parë. Për momentin jemi në fazë përgatitore. Uroj të jap maksimumin, për të arritur objektivin që ka vënë klubi, për t’u renditur në mesin e artë të tabelës.
– E keni ndjekur Superioren pas largimit dhe sa ndryshon kampionati shqiptar nga ai iranian?
E kam ndjekur Superioren, sidomos ndeshjet e Vllaznisë dhe të Kukësit. Këtu në Iran niveli është më i lartë. Kushtet e stërvitjes janë më të mira, ashtu si dhe infrastruktura. Po ashtu këtu në stadiume ka shumë më shumë tifozë se në Shqipëri.
– Luhet Kukësi-Vllaznia këtë jave, si e parashikomi këtë sfide, duke parë gjendjen e skuadrave?
Vllaznia është një skuadër që i ka hapur probleme Kukësit në “Zeqir Ymeri” gjithnjë. Unë jam tifoz i Vllaznisë dhe në këto kushte që është uroj të marrë 3 pikët në këtë ndeshje. Kukësi është në vendin e dytë dhe duhet ta “blindojnë” atë pozicion sepse vendi i parë është shumë i vështire për t’u arritur.
– Kush mund të jetë përcaktues në këtë përballje?
Mendoj se në këtë ndeshje do të jetë përcaktues Sukaj, i cili do i japë fitoren 0-1 Vllaznisë. Vllaznia duhet të mundohet të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje, pasi dihet se Kukësi ka një skuadër me vlera, një ndër skuadrat më të mira në Shqipëri.
– Do të ishte Europa sukses për Kukësin?
Vendi i parë është shumë i vështirë që të arrihet, por them se Europën Kukësi e ka garantuar që nga kampionati, megjithatë uroj që të fitojë dhe Kupën e Shqipërisë. Besoj se më pas do të ishte një vit i suksesshëm për Kukësin.
– Vllaznia ende në luftë për mbijetese, beson se do ia dalë në fund?
Vllaznia ka një grup lojtarësh shumë të mirë, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Në takimet e fundit po tregon se kanë fituar ekuilibër, duke marrë rezultate pozitive. Nuk e çoj ndërmend që Vllaznia të bjerë. Vllaznia po luan futboll të bukur dhe tani po merr edhe pikë. Besoj se do ia dalë.
– Pse çdo vit flitet për problemet në Shkodër dhe asnjëherë nuk marrin zgjidhje?
Deri sa ta ketë Bashkia, Vllaznia të marrë dhe Mesin e Ronaldon do jetë në të tilla kushte. Duhet privatizuar sa më parë që edicionin e ardhshëm të synojë Europën. Edhe pse Bashkia po mundohet që të sigurojë pagat e kushtet, sërish nuk mjafton. Zgjidhja e vetme është privatizimi.
– E mendon një rikthim në Shqipëri Hasani?
Objektivi im është që të rri sa më larg rikthimit në Shqipëri. Ky është objektivi im i radhës.
– Ndonjë mesazh për miqtë e tu më të mire si te Kukësi ashtu dhe te Vllaznia?
Kam shumë miq të mirë si te Kukësi ashtu dhe te Vllaznia. Kam parë një ecuri të shkëlqyer të Sindrit Gurit. I uroj që të shënojë sa më shumë gola deri në fund të sezonit, por shpresoj mos të shënojë në këtë ndeshje.