Arijanet Muriçi ishte lojtari i ndeshjes në përballjen Juventus-Sasuolo. Skuadrat u larguan nga fusha me një barazim 1-1 dhe meritë të madhe për këtë rezultat ka pikërisht portieri shqiptar. Gardiani i Sasuolos priti penalltinë e Lokatelit në minutën e 88, si dhe arriti të priste një gjuajtje mjaft të rrezikshme të Milikut. Dy raste vendimtare që i mohuan fitoren Juventusit.
Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Muriçi është shprehur se e ndjente që do ta priste penalltinë e Lokatelit. Më tej ai ka shtuar se pritja e goditjes e kokë të Milikut ishte më e vështirë për t’u realizuar se sa rasti i 11 metërshit.
“Patëm shumë raste. Jam i kënaqur me performancën time, por luajtëm një ndeshje të shkëlqyer si ekip. Isha mjaft i sigurt se do ta prisja (penalltinë). Ishte çështje ndjenje, mendova: ‘Do ta pres’.
Më e vështirë pritja e penalltisë apo gjuajtja e Milikut? Goditja me kokë ishte më e vështirë për t’u pritur”, është shprehur Arijanet Muriçi./Sport Ekspres/