Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme miqësoren e parë pas kualifikimit në Euro 2024. Në prag të ndeshjes ndaj Kilit, e cila nis në orën 20:45, trajneri Silvinjo dhe Berat Gjimshiti janë paraqitur në konferencë për shtyp. Kreu i pankinës së Shqipërisë vlerëson në maksimum dy miqësoret e radhës, teksa përmend faktin se Kili numëron 9 pjesëmarrje në Kupën e Botës. Sa i përket Manajt dhe Brojës, Silvinjo nuk e përjashton mundësinë që të dy sulmuesit të luajnë së bashku më formacion.
“Nesër do të ketë një stadium të mbushur me shqiptarë. Do të jetë një ndeshje mjaft e bukur. Ne nuk po mendojmë për Europianin. Na pret puna. Prej 3 ditësh që jemi grumbulluar po flasim vetëm për Kilin dhe Suedinë. Për mua nuk ekzistojmë miqësoret. Kili nuk ka vetëm Sançezin. Kili është skuadër që ka marrë pjesë në 9 Botërorë. Ka kaluar 3 herë në fazën çerekfinale të Botërorit. Është mësuar të luajë me Brazilin, Italinë, Anglinë. Për mua është e veçantë të luaj kundër Kilit, skuadër amerikano-jugore.
Është një moment shumë i bukur për ne si Kombëtare. Është hera e parë për Manajn dhe Hohën dhe hera e dytë për Brojën dhe Muçollin. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Manajn dhe Broja kanë ardhur sepse po luajnë mirë. Janë lojtarë shumë të ndryshëm nga karakteristikat, por edhe të rëndësishëm. Po, Manaj dhe Broja janë lojtarë që mund të luajnë të dy në një formacion, në një ndeshje.
Në këtë moment unë nuk e mendoj aspak listën e Europianit. Kemi dy ndeshje shumë të forta. Nuk është momenti i listës. Është momenti për të vlerësuar lojtarët. Muja, Daku dhe Gjasula, i cili ka bërë një rrugëtim të rëndësishëm me ne, janë në vëmendjen tonë. Por tani duhet të provonim disa të tjerë”, ka thënë Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/