Jehona e organizimit të finales së parë historike të UEFA Conference League në Tiranë, AS Roma-Feynoord vazhdon edhe disa javë pas atij eventi historik ndërkombëtar që u zhvillua në vendin tonë.
Së fundmi, Presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, Just Spee i ka dërguar një telegram falënderimi Presidenti të FSHF-së, Armand Duka, ku i shpreh komplimentet më të përzemërta për mikpritjen e rezervuar nga pala shqiptare dhe përshtypjet tejet pozitive të tifozerisë së Feynoord-it.
Sipas presidentit të Federatës Holandeze, organizimin i finales ka qenë mbresëlënës dhe se është krenarë për punën e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit për këtë ngjarje, që e vuri Tiranën dhe Shqipërinë në qendër të vëmendjes europiane. Më poshtë edhe letra e plotë e Presidentit të Federatës Holandeze dërguar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:
I dashur President, i dashur Armand, Faleminderit shumë për letrën tuaj të përzemërt. Më risolli në mendje kujtime të mira nga vizita ime e fundit në vendin tuaj të bukur. Më pëlqeu shumë vizita ime në Shqipëri. Ishte një nder të shijoja mikpritjen në Tiranë dhe të isha dëshmitar i organizimit mbresëlënës që ofruat. E kuptoj pse kjo ngjarje kishte shumë rëndësi për ju dhe vendin tuaj: ky event me të vërtetë e vendosi Tiranën dhe Shqipërinë në hartë. Ju duhet të ndiheni vërtetë krenarë për Federatën dhe institucionet tuaja.
Unë flas në emër të tifozëve dhe publikut holandez kur them se Shqipëria ka lënë një përshtypje mjaft të mirë. Tifozët e Feyenoord-it që vizituan Shqipërinë raportuan për ndërveprimin e madh me banorët vendas, mirë-organizimin e pikave të takimit për tifozët në qendër të Tiranës dhe një atmosferë fantastike brenda stadiumit. “Rruga drejt Tiranës” ishte kthyer tashmë në një fenomen për tifozët e Feyenoord dhe vetë Tirana e përmbushi plotësisht pritshmërinë.
Edhe një herë, dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen që më rezervuat mua dhe bashkatdhetarëve të mi holandezë dhe t’ju përgëzoj për një organizimin e një ngjarjeje të paharrueshme. Ju e keni kthyer finalen e parë të UEFA Conference League në një event historik.