Pas aventurës së kaluar si president i Dinamos, Ardian Bardhi ka vendosur të rikthehet në Durrës, aty ku së bashku me Hasanbelliun dy vite me parë solli edhe titullin kampion për Teutën. Gerti Çarçani zbulon në emisionin “Skaner” në “MCN TV” se klubi i Teutës do të kthehet në një shoqëri aksionere, ku presidenti aktual, Edmond Hasanbelliu, dhe Ardian Bardhi do të kenë të drejta të barabarta. Kujtojmë se kjo dyshe i solli Teutës 5 trofe në futbollin shqiptar.
“Teuta gjendet në një situatë tjetër. Nga shoqatë, ky klub pritet të kthehet në një shoqëri aksionere për një kohë shumë të shpejtë. Me dy aksionerët respektivë, zotin Hasanbelliun, presidentin aktual, dhe aksionerin tjetër, Ardian Bardhin, i cili pas aventurës te Dinamo rikthehet sërish në qytetin e tij të Durrësit.
Hasanbelliu dhe Bardhi do të krijojnë shoqërinë aksionere me kuota të njëjta përfitimi dhe aksionesh, ku natyrisht pritet t’i japin një hov. Është një shndërrim që do të forconte Teutën maksimalisht. Këtë radhë vijnë si ortakë me të drejta të barabarta, natyrisht që të drejta dhe detyrime shkojnë paralelë, por këtë radhë si ortakë në shoqëri aksionere me askione të plota ligjore. Ortakë mund të quheshin edhe para dy vitesh kur u prodhua titulli, por më shumë ka qenë në rolin e sponsorit“, ka thënë Gerti Çarçani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/