Kur nis një punë të re, ndoshta më e rëndësishme sesa vet niveli që je për ta përmbushur atë me sukses, është dashuria që ke për të, pasioni dhe admirimi. Në shumicën e rasteve mund të përmirësohesh gjatë ushtrimit të punës, për t’u rritur në nivel, por rrallëherë dashurohet shtohet me kohën.
Është si një ndjenjë që ose të godet me shikim të parë, në të kundërt, fare. E kështu për Erjon Allarajn ishte rasti që te Kukësi t’i bashkohej më së miri dashuria dhe pasioni, për t’i ardhur në shërbim të klubit. Gjithmonë kur mbyllte shkollën dhe studimet e tij, shkonte për të parë në stërvitje lojtarët e Kukësit.
Të shkosh për t’u argëtuar në stadium, shkon për t’u ulur në stol vetëm gjatë ndeshjes. Për të përkrahur ekipin, shkon në stadium dhe brohoret për 90 minuta. Ndërsa të jetosh me klubin dhe ta kesh si një familje të dytë, qëndron pranë tyre edhe në stërvitje.
Vetëm në skuadrat e mëdha të Europës ndodh që të ketë një interes paksa më të madh të njerëzve për t’i parë në stërvitje. E për këtë arsye, tifozët e pakët që shkonin për të ndjekur gjatë stërvitjes verilindorët, futbollistët i mbanin më afër dhe gjithmonë shkëmbenin biseda me ta për ndeshjen e radhës.
Në disa raste ndodhte që të sfidoje edhe motin e keq, por duhej të gjendeshe aty pasi u kishte premtuar lojtarëve si Shameti, Pejic, Hallaci apo Musolli se do t’i ndiqje teksa stërviteshin. E kështu kjo dashuri e madhe për klubin, do të kthehej edhe në punë për Erjonin. Sigurisht, nëse mund të quhet “punë”!
Dikur ishte pjesë e tifozëve dhe e “Mërgatës”, që mblidhte të gjithë tifozët e Kukësit që ishin larg qytetit, kryesisht të përqendruar në Tiranë. Tashmë si pjesë e klubit në rolin e përgjegjësit e marrëdhënies me median, Allaraj tregon për “Sport Ekspres” edhe bisedat e tij të dikurshme me presidentin Safet Gjici, që gjithmonë kanë pasur thuajse të njëjtën tekst: “President përshëndetje, a do të ketë transport falas sot?”.
“Dashuria për ekipin e Kukësit, është nga ato dashuri që nuk e di dhe nuk e kupton se si ndodhi, por e di që duhet të bësh gjithçka për të qenë pranë në ditë të mira e sidomos ato të vështira! Para 10 vitesh u ngjit Kukësi për herë të parë në Superiore dhe unë ashtu si shumë të tjerë, mendoja se do të jetë ekip “flluskë” që pas një sezoni do të luajë sërish në Kategori të Ulëta. Por, nuk ndodhi kështu sepse Kukësi nuk na la të shijonim as pushimet e verës sepse duhej të ishim në tribunë për të kaluar shumë ture, deri në “Play Off”.
Nga ato ndeshje e në vazhdim, kuptova se Kukësi do të shkruante histori në futbollin shqiptar dhe çdo javë, mezi prisja fundjavën për të qenë në stadium. Më ka ndodhur shpesh që pas orëve të mësimit, të shkoja për të parë stërvitjet e skuadrës. Musolli, Shameti, Koci, Hallaci, Hoxha, Pejic e shumë futbollistë të tjerë na afronin sepse ishin tifozë te paktë. Pak ditë para ndeshjeve, unë personalisht kontaktoja presidentin Gjici për të ditur nëse do të kishte transport falas dhe zakonisht kishte, por edhe kur nuk kishte, përgjigja ishte e njëjta “s’ka problem çuna, paguajmë vetë, marrim birra dhe ikim”.
Kur nisa si gazetar, doja shumë të isha pjesë e klubit të Kukësit dhe dy vite më parë, mu dha mundësia të punoja si zëdhënës. Është nga ato punë, ku veç detyrës për punën, është detyra për klubin e zemrës. Çdo punë ka vështirësi në fillim, por mbështetja e stafit drejtues ka qenë e madhe duke ma bërë më të lehtë por edhe futbollistët, gjithmonë më kanë bërë pjesë të familjes së madhe.
Çdo ndeshje ka shumë emocion dhe si gëzimi, ashtu edhe mërzia është e jashtëzakonshme në ditët jo të mira. Të punosh për klubin e zemrës është ndjesi shumë e veçantë sepse je i përfshirë në çdo emocion dhe në gjithçka ndodh. Aktualisht, luajmë jashtë Kukësit por realisht mezi pres rikthimin në Kukës, aty ku kam lënë zërin në tribunë, por tani duhet të punoj për klubin e zemrës”, shprehet Allaraj. /Sport Ekspres/