Viti 2020 për Rei Manajn nisi me një ëndërr të madhe për të cilën duhej të luftonte fort në mënyrë që ta kthente në realitet. Një kalim te Barcelona B në një kohë kur ekipi katalanas kishte mëshumë se kurrë nevojë për një sulmues “9”-sh në zonë ishte padyshim gjëja e më e mirë që talentit shqiptar mund t’i ndodhte. Barcelona e ka treguar gjithnjë besimin e saj te të rinjtë dhe më një folozofi të tillë do të ulej në stolin e trajnerit edhe Setien. Ky i fundit grumbulloi një pjesë të ekipit B me skuadrën e parë, ndër të cilët ishte edhe Manaj. Madje do të shprehej hapur se të rinjtë do të gjenin hapësira te Barça e tij e nuk do të ishte çudi të shihnim debutime në fushë.
Manaj i shkoi pranë, por duhej të kënaqej vetëm me faktin e të qenurit në mes të të grumbulluarëve në “Camp Nou”, pa iu dhënë mundësia të zbriste në fushë. Dy muaj kanë kaluar në krye të pankinës për Setien, megjithatë ende nuk kemi parë një debutim nga të rinjtë, gjë të cilën u zotua ta bënte. Për këtë arsye mediat në Spanjë “i tërheqin veshin” trajnerit të katalanasve, duke i sugjeruar të ndjekë filozofinë e paraardhësit Valverde. Ky i fundit bëri që të zbrisnin për herë të parë me fanellën e Barcelonës plot 14 të rinj gjatë detyrës së tij si trajner.
Një filozofi të tillë kërkojnë edhe mediat spanjolle, që në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse premtimi fillestar i vetë Setien. E padyshim kështu mund të vijë edhe shansi i artë dhe i shumëpritur edhe për Manajn, që nëse bën mirë në stërvitje dhe me skuadrën B, atëherë shpërblimi nuk do i vonojë për të përjetuar ëndrrën e tij, atë të të luajturit përkrahë Mesit dhe yjeve të tjerë të Barcelonës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/