Një lajm i mirë vjen nga Anglia, teksa zyrtarët e Premier Ligës e kanë bërë të qartë se zhvillimi i kampionatit do të ndodhë pavarësisht përhapjes së COVID-19. Sfidat Everton-Mançester Siti dhe Totenham-Fulham u anulluan ditën e sotme përshkak të disa rasteve pozitive.
Teksa javën e kaluar u regjistrua dhe numri më i lartë i të infektuarëve në Premier Ligë, me plot 18 të tillë, trajneri i Uest Hem sugjeroi që të kishte një ndalim të kampionatit në mënyrë që të parandalohej përhapja e mëtejshme e koronavirusit. Megjithatë në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e këtij kompeticioni deklarojnë se nuk do ta marin parasysh këtë kërkesë.
“Premier Liga nuk e ka diskutuar ndalimin e sezonit dhe as nuk ka plan ta bëjë. Liga ka besim në masat e mara kundër COVID-19 dhe do të lejojë që ndeshjet të luhen sipas datave të përcaktuara. Këto masa kanë miratimin e plotë të qeverisë britanike.”- ishte deklarata zyrtare e Premier Ligës./Elio Hajdari-Sport Ekspres/