Ajo që nuk duhej të ndodhte, ka ndodhur sot. Pas një jave ku tema kryesore e mediave sportive Etnik Brruti dhe tani situata kishte kaluar në qetësi disi, një tjetër goditje e madhe vjen për lojtarin më të ri të Shqipërisë. Mesfushori i Malishevës vazhdon që të quhet tradhtar për shkakun se zgjodhi Shqipërinë dhe u largua nga Kosova U-21.
Etnik Brruti po vazhdon që të stërvitet me ekipin e Silvinjos, duke u përgatitur për ndeshjen e madhe kundër Anglisë në Ëembley. Një ndeshje që do të jetë shumë emocionuese, veçanërisht për Brrutin, që çuditërisht po kalon një sprovë të madhe vetëm për shkak se ka zgjedhur ngjyrat kuqezi dhe më e pazakonta është se i gjithë presioni është i brendshëm dhe jo nga armiqtë.
Kosova luajti sot kundër Islandës në Ligën e Kombeve dhe fitoi në shifrat 2-1 falë golave të Dellovës dhe Rexhbecajt. Disa tifozë të Tiranës dhe të tjerë nga Shqipëria zyrtare kishin shkuar për të ndjekur këtë takim dhe për të mbështetur Kosovën. Por jo të gjitha fotografitë që vijnë nga “Fadil Vokrri” janë të bukura për t’u parë. Dardanët, tifogrupi i Kosovës, kishin njoftuar se do të nxirrnin një pankartë kundër Etnik Brrutit.
Para ndeshjes, ata nxorën një prej pankartave të tyre me një mesazh që i drejtohet Brrutit. Në të ishte himni i flamurit ku thuhej: “Prej lufte vec ai largohet, që është lindur tradhëtar”. Pra Brruti është cilësuar si tradhtar dhe nëse më parë këto mesazhe mund të hapeshin në stadium me Xherdan Shaqirin dhe Valon Behramin, tani hapen për lojtarët e Shqipërisë. Ndërkohë gjatë ndeshjes me Islandës, Dardanët hapën parrullën për Etnik Brrutin ku thuhej:
“Djemtë që i dalin Zot vendit janë këtu, atdhedashurinë nuk e lëmë me u tregtu”. Pra tifogrupi i Kosovës del kundër kësaj lëvizje duke thënë se Etnik Brruti nuk është aspak patriot, por po tregton atdhedashurinë dhe në fund, iu largua luftës së madhe. /Sport Ekspres/