Portieri gjerman Loris Karius ishte njeriu më i dëshpëruar te Liverpuli pas humbjes ndaj Realit në finale e Champions League, sepse dy nga tre golat e Realit ishin gafa kolosale të tij.
Pas ndeshjes Karius ishte i përlotur, ndërsa për gazetarët nuk dinte ç’të thoshte.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Thjesht me vjen keq për shokët e skuadrës, humbëm finalen. Ata u munduan të më jepnin zemër në dhomat e zhveshjes, por jam i dërrmuar”.
Mbrojtësi Virxhil Van Dijk nuk foli për golat e pësuar nga Karius: “Fitojmë dhe humbasim së bashku, nuk veçohen fajtorët. Gjithçka mund të ndodhë në një finale, por jemi shumë të zhgënjyer”.
Ndërkaq, ish-mesfushori i njohur gjerman Mikael Balak komentoi për Sky në Gjermani: “Nuk është normale që një portier të bëjë dy gabime si Karius sot. Gjithsesi, Reali e meritoi fitoren”.