Stadiumi i Juventusit ra në heshtje mbrëmë pasi Wojciech Szczesny kërkoi urgjentisht ndihmë mjekësore në fund të pjesës së parë të ndeshjes kundër Sportingut dhe tha se kishte probleme me zemrën.
Ai u largua menjëherë nga fusha dhe iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara të zemrës, ndërsa pas ndeshjes i gëzoi të gjithë kur doli para kamerave.
Mjekët e ndihmuan, por menjëherë treguan se polaku nuk mund të vazhdonte më ndeshjen, pasi më e rëndësishmja është që të bëhen ekzaminimet sa më shpejt që të kuptojmë se çfarë problemesh ka Szczesny dhe pse zemra i rreh kaq fort.
Ekzaminimet janë kryer në qendrën mjekësore në stadiumin e Juventusit dhe për fat nuk ka pasur asgjë serioze.
“Bëmë një ekzaminim mjekësor dhe gjithçka është në rregull. Isha shumë i shqetësuar sepse nuk mund të merrja frymë, por tani gjithçka është në rregull. Analizat konfirmuan se nuk ka probleme”, tha Szczesny. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/