Polonia sheh dritë në fund të tunelit, teksa pas një serie tejet negative arrin të marrë një fitore që ngre lart moralin. Në Varshavë tabela e rezultatit të takimit kundër Shqipërisë shënonte 4-1 për vendasit pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Një rezultat që nuk i përgjigjet asaj çfarë dha loja në fushë.
Polakët u treguan një makineri perfekte përpara portës sonë. Katër herë shënjestruan kuadradin e Berishës dhe po aq herë ia dolën ta dërgonin topin pas shpinës së tij. Një statistikë kjo që e bën poloninë të prekë një arritje unike në Europë.
Saktësia përpara porte është 100% për ekipin e Souzas, ndërsa një gjë të tillë e ka bërë vetëm Gjibraltari dhe Franca, që me një goditje në portë kanë arritur të shënojnë. Për të parë një efikasitet të tillë duhet të kthehemi pas në kualifikueset e Euro 2020, ku është përsi Polonia ajo që përkthen në gol çdo goditje të saj në portë. Atëherë skuadra polake mposhtte 4-0 Izraelin, ndërsa të njëjtën arritje e përmbushi edhe Portugalia në fitoren 4-2 me Serbinë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/